02-12-2020

Ministri Likaj apelon shkollat për kujdes të shtuar ndaj COVID-19

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH) Ramë Likaj u ka bërë apel nxënësve dhe mësimdhënësve që të respektojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit në mënyrë që të mos vijë deri te mbyllja e institucioneve arsimore, në kohën kur vendi po përballet me shtim të vazhdueshëm të rasteve të reja.

 

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 10 vdekje dhe 707 raste të reja me sëmundjen infektive, pavarësisht masave të ndërmarra së fundit antiCOVID-19 për kufizim të lëvizjes së qytetarëve dhe mbylljen e gastronomisë nga ora 19:00 deri 05:00 të mëngjesit.

 

E kjo ka bërë që ministri Likaj të dalë me një ftesë të veçantë përmes Facebook-ut për të gjithë nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të nivelit të ultë dhe të mesëm arsimor në vendin tonë.

“Paçi kaluar fundjavë të qetë! E hëna, ditë mësimi dhe ju lutem shumë, nxënës, mësimdhënës, prindër dhe të gjithë ju pjesëmarrës në shkollë, të keni KUJDES! COVID-19 është mes nesh, madje me shifra të larta. Duke respektuar rregullat, ndihmoni veten dhe të tjerët, ndihmoni arsimin dhe kështu do të mbajmë shkollat hapur për Fëmijët, për Ne, për Kosovën!”, ka shkruar Likaj.

Asnjë koment

Comments are closed.