24-04-2024

Misteri i vetëvrasjeve të dy nxënëseve në Prizren – askush s’e di pse ranë nga ndërtesat

Aq sa të dyshimta, edhe të mistershme po vazhdojnë të mbeten vetëvrasjet e dy shoqeve të klasës, të shkollës së mjekësisë në Prizren, që ndodhën muajin e kaluar. Familjet e viktimave, ashtu sikurse drejtoresha e shkollës dhe mësimdhënësit, nuk po pranojnë të komunikojnë me media për rastet tragjike. Edhe Prokuroria është e rezervuar në informacione, “për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe fazës së hetimeve”.

Maturantët e shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, të shoqëruar nga prindërit, të mërkurën po merrnin rezultatet e përfundimit të mësimeve në këtë shkollë.

Shumica, normalisht se ishin të gëzuar për sukseset e tyre. Por, në të njëjtën shkollë ka gati një muaj që situata nuk është normale. Madje ka shkuar edhe në mister.

Dy nxënëse të klasave të 10-ta, të të njëjtës shkollë, janë vetëvrarë, brenda pak ditësh. Një e tretë ka provuar ta bëjë të njëjtën gjë. Dy viktimat e para, ishin shoqe banke. Para se të kryenin aktin e hedhjes nga dy lartësi të ndryshme të dy ndërtesave jo shumë larg objektit të shkollës, të dyja kishin vizatuar në bankën e tyre nga një dorë, dhe përfundi tyre kishin shënuar emrat.

Dorëjeta Kafexholli, 16 vjeçe, më 19 maj të këtij viti, qe viktima e parë që ra nga kati i pestë i një ndërtese në Prizren.

(Dorëjeta Kafexholli dhe babi i saj Nazmi Kafexholli)

Nxënësja e klasës së dhjetë e kësaj shkolle, me prejardhje nga fshati Bellanicë e Malishevës, ishte zhvendosur për banim në Prizren, për të kryer të mesmen e mjekësisë.

Gati një muaj pas vdekjes së saj, babai i Dorëjetës refuzon të flasë për Gazetën Express. Ai mbyll telefonin sapo kupton se gazetarët e kanë thirrur për rastin e vajzës së tij.

Njësoj, të mërkurën, ka reaguar edhe babai i viktimës së dytë, Alketa Dakaj. Babai i 16-vjeçares, nga fshati Korishë e Prizrenit, thotë se e ka në dorë prokuroria ta zbardhë rastin, ndaj të tjerët s’kanë pse merren me vdekjen e të bijës, që ndodhi më 25 maj 2018.

“Unë kam brengë, por juve mos të ju interesojë. Unë kam punë me polici, kam punë me prokurori. Me gazetë e kësi sene unë nuk merrna. Ata e zbardhin, ka kush e zbardhë”, tha Florim Daka, duke iu dridhur zëri nga mërzia.

“S’muj”, e mbylli ai bisedën para dyerve të shtëpisë së tij, duke i rrjedhur lotët.

(Njoftimi për varrimin e Alketa Dakajt, i vendosur para shtëpisë së saj)

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka nisur tashmë hetimet për këto raste. Në dosjet e tyre ata kanë dy tragjedi që përfunduan me vdekje dhe një që mbeti në tentativë. Të tri rastet janë nxënës të të njëjtës shkollë.

Prokurori Metush Biraj s’pranon të takohet me ekipin e Gazetës Express, për të dhënë informacione rreth hetimit. Ai, përmes telefonit, vetëm thotë se janë duke ndjekur rastin dhe procedurat parahetimore dhe vlerëson se “rastin është i ndjeshëm”, ndaj nuk jep detaje për hetimin.

Katër ditë më parë, kryeprokurori i Prizrenit pati konfirmuar se janë duke hetuar disa pista të ndryshme rreth këtyre tragjedive enigmatike.

Shantazhi dhe shtytja në vetëvrasje, janë dy nga pistat të cilat është duke i hetuar Prokuroria Themelore e Prizrenit, rreth vetëvrasjes së dy nxënëseve të klasës së dhjetë së shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, që ndodhën pak ditë ndërmjet vete.

“Kemi intervistuar shoqe, shokë, familjarë. Me duket edhe drejtori dhe disa profesorë”, kishte thënë kryeprokurori Shala të hënën për Express.

Por derisa po kryhen këto hetime, disa nxënës të shkollës “Luciano Motroni”, shokë klase të dy viktimave thonë versionet e tyre, se çka mendojnë dhe çka kanë dëgjuar për këto vetëvrasje.

“O për njisha breh e kanë. Merre me mend gjuha shqipe ta mbyll njish”, thotë një i mitur, nxënës i klasës së Dorëjetës dhe Alketës.

“Jo, po thojnë i kanë përdhunu. Gjithçka po thojnë. Ama ato s’janë kanë asi. S’u dokshin”, thotë një tjetër.

“Shumë çika të mira janë kanë”, vlerëson dikush që i kishte njohur.

Por, për dallim nga shokët e klasës së dy viktimave, mësimdhënësit e kësaj shkolle refuzojnë të flasin për ish-nxënëset e tyre, tashmë të vdekura.

Të njëjtën gjë të mërkurën e ka bërë edhe drejtoresha e shkollës.

“Nuk kam nevojë me u marr me dezinformata e me çka thojnë. Jam drejtoreshë e institucionit, nuk e di gjenezën e saj. Nuk i di as unë, as askush”, thotë ajo, derisa e takuam në zyrën a saj.

Lyde Malsori, një aktiviste e shoqërisë civile, në një reagim të saj pas dy tragjedive, ka përmendur një ekskursion që pretendon se kishin qenë nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, në ditën kur u vetëvra e mitura e parë.

“Video të ndryshme qarkullojnë mes nxënësve ku dyshohet të jenë edhe profesorët të involvuar!!!”, kishte shkuar ajo në Facebook për ekskursionin, por pa treguar përmbajtjen e tyre.

“ÇFARË KA NDODHË NË ATË EKSKURZION??? ASKUSH NUK MERRET ME KËTË TRAGJEDI!!! As ne jo????!!! Edhe sikur të jenë vetëvrasje të lira (çfarë dyshoj fort), Policia e Kosovës duhet t’i sqarojë këto raste deri në detajin e fundit, pa lënë dyshimin më të vogël!!!”, shkruante tutje Malësori.

Krejt këto i hedh poshtë drejtoresha e shkollës.

“Këto janë spekulime, me një fjalë rrena të rrugëve”, tha ajo, të mërkurën, pastaj duke kërkuar që t’i lirohet zyra që të merret me punët e saj.

Këto pretendime i kishte hedhur poshtë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, katër ditë më parë.

“Nuk ka diçka të tillë. Po ka edhe spekulime. Por deri më tani nuk kemi gjetur diçka. Porse gjitha drejtimet janë duke u hetuar”, ka thënë Admir Shala të hënën për Gazetën Express.

T7, javën e kaluar, ka raportuar se banorë të Prizrenit, prapa kamerave, u kanë thënë se në qytetin e tyre janë duke funksionuar disa banda kriminale që po i shantazhojnë të rinjtë në këmbim të parave. /GazetaExpress/

 

 

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/misteri-i-vetevrasjeve-te-dy-nxenesve-n-prizren-askush-se-di-pse-ranw-nga-ndertesat-545355/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.