Mungesa e të akuzuarve shtyn gjykimin për keqpërdorim të besimit në Sharr (ish-Dragash)
Mungesa e të akuzuarve për keqpërdorim të besimit, Ejup Balje dhe Myrtez Xhemaj, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash.
Gjykatësja e rastit, Sabaheta Kurteshi, ka konstatuar se ata janë ftuar në mënyrë të rregullt dhe se mungesën e tyre e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, të akuzuarit e kanë arsyetuar mungesën për shkak të problemeve shëndetësore të familjarëve të tyre.
Në seancën e së mërkurës të pranishëm kanë qenë i akuzuari tjetër Qair Balje, të dëmtuarit Lulzim dhe Shkodran Gerdellaj, si dhe prokurori Atnor Skorro.
Shqyrtimi i radhës për këtë çështje është shtyrë për 26 qershor 2019, në ora 10:30.
Ndryshe, në bazë të aktakuzës së ngritur më 18 janar 2016, nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Myrtez Xhemaj, Ejup Balje dhe Qair Balje, akuzohen se më 26 qershor 2015 në kohë të pavërtetuar, në bjeshkën e fshatit Zlipotok, saktësisht në stanin e tyre ku banonin dhe jetonin gjatë sezonit të verës, me qellim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarve, Lulzim dhe Shkodran Gerdellaj.
Sipas aktakuzës, ka ndodhur në atë mënyrë që ditën kritike, të pandehurit i marrin katër viça nga stani, për të cilët ishin duke u kujdesur gjatë asaj kohe me pagesë dhe më pas i lajmërojnë sikur të humbur, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve rreth 3500 euro.
Me këtë në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes, e më pas e ri cilësuar më vonë si “keqpërdorim i besimit”, nga neni 342 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi