23-11-2024

Mustafa: Thaçit i kërkova të heq dorë nga diskursi politik i korrigjimit të kufijve

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka dhënë detaje në lidhje me takimin e mbrëmshëm në shtëpinë e tij me Presidentin Hashim Thaçi. Ai thotë të ketë qenë kërkesë e Thaçit që ta informojë atë, “si kryetarin e partisë më të madhe politike, për kërkesat por edhe paralajmërimet për masa, shumë serioze, ndaj Kosovës, të deklaruara nga delegacioni i lartë i SHBA-së”.

“Ia shpreha brengosjen time dhe të LDK-së për situatën në të cilën koalicioni qeverisës e ka sjellë vendin”, ka thënë Mustafa në një postim në Facebook.

Ai po ashtu thotë të ketë kërkuar nga Presidenti Thaçi që të heq dorë nga diskursi i tij politik për korrigjim kufijsh.

“Kërkova nga Presidenti që të heq dorë nga orientimi i tij dhe diskursi politik për korrigjim të kufijve, në mënyrë që të krijohet një ambient normal për dialog dhe të evitohet frika nga dialogu. Se LDK nuk do të pajtohet në asnjë mënyrë që të dialogohet për territorin, sepse kjo çon në rihapje të shtetësisë. Po ashtu, theksova se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që të gjej zgjidhje, në mënyrë që të ruhet partneriteti me SHBA-në, si aleatin tonë strategjik. Ia shpreha qëndrimet e LDK-së për dialogun dhe nevojën që para dialogut të shkohet në zgjedhje, për të siguruar legjitimitetin”, ka theksuar Mustafa.

Ndërsa, Mustafa pati edhe një porosi për ata që e kritikuan këtë takim, të cilën i quajti “budallenjë”. “Kam vërejtur se ka pasur spekulime si dhe akuza për këtë takim; disa budallenjë e kanë cilësuar edhe si tradhti. Të tillët janë injorantë e zjarrvënës”, ka thënë Mustafa.

“Kur është në pyetje interesi i shtetit dhe partneriteti me SHBA-në do të bisedoj dhe do të takohem me të gjithë, sepse i besoj programit dhe frymës së LDK-së. LDK nuk është parti diskomunikuese, nuk frikësohemi nga takimet, sepse u qëndrojmë besnikë zotimeve tona politike”, është shprehur Mustafa.

Në fund, ai bëri me dije se ditëve të fundit ka komunikuar edhe me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe me zv.kryeministrin Fatmir Limaj, ndërsa më herët thotë të jetë takuar edhe me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin.

“Të gjithë ne kemi përgjegjësi për këtë vend, si pozitë dhe si opozitë”, deklaroi Mustafa./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.