23-11-2024

Ndërpritet greva e autobusëve Prizren-Prishtinë

Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar Sami Gavazaj nga Shoqata e Transportuesve Privatë “Kosova e Lirë”, i cili ka thënë se e kanë shtyrë grevën së paku deri më datën 2 shtator, në rast se në atë datë nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Vendimi për ta ndërprerë grevën erdhi pas takimit mes disa përfaqësuesve të grevistëve dhe atyre të Ministrisë së Infrastrukturës.

Autobusët deri me atë datë do të vazhdojnë që të qarkullojnë rregullisht me oraret e tyre të parapara.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës përmes një komunikate kanë thënë se do ta trajtojnë këtë çështje urgjentisht në mënyrë që t’i zgjidhin problemet me të cillat përballen transportuesit.

“Në emër të ministrit të infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltari politik i tij, Pjeter Ndou, bashkë me drejtorin e departamentit të transportit, Xhemë Veseli kanë pritur në takim kryetarin e shoqatës së transportuesve rrugor të Kosovës, njëherësh anëtar i kryesisë së Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishi, dhe përfaqësues të shoqatës së transportuesve nga regjioni i Prizrenit”, thuhet në komunikatën e MI-së.

“Ndou dhe Veseli,  dëgjuan ankesat dhe kërkesat e shoqatës, të cilat i shtyen për të hyrë në grevë dhe pas diskutimeve konstruktive, të dyja palët ranë dakord që të ndërpritet greva dhe të vazhdohet me operim normal të linjave të rregullta, Prizren – Prishtinë dhe anasjelltas.”.

“Në vazhdimësi, Ndou theksoi përkushtimin maksimal të ministrit Lekaj dhe të kabinetit për zgjidhjen e të gjitha problemeve të operatorëve ekonomik, gjithmonë në dobi të shërbimit të qytetarëve”.

“Ministria e Infrastrukturës,  gjegjësisht departamenti i transportit rrugor në bashkëpunim me operatorë, shoqatat dhe të tjera palë relevante, në afat sa më urgjent do t’i  trajtojnë dhe  zgjidhin të gjitha problemet që i kanë transportuesit”.

Asnjë koment

Comments are closed.