Ndryshon harta e zonave: Masa lehtësuese për Prizrenin dhe disa komuna përreth

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar, sot qytetarët për kategorizimin e komunave sipas rrezikshmërisë të infektimit nga COVID-19.

Sipas saj, Prizreni tashmë ka kaluar në zonën e gjelbër, raporton Gazeta e Prizrenit.

Në këtë rang janë edhe dy komunat tjera të rajonit, Dragashi e Mamusha, si dhe Rahoveci.

Suhareka ndërkaq është në zonën e verdhë.

Cilat janë masat e Qeverisë për zonën e gjelbërt?

Lexo edhe:

Këto janë vendbanimet e sotme të rajonit të Prizrenit me rastet e reja me Covid

Në bazë të vlerësimeve dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, meqenëse Komuna e Prizrenit është kategorizuar me rrezik të ulët të infeksionit, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të:

  1. Miratohen masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, në Komunën e Prizrenit.
  2. Masat e miratuara në Komunën e Prizrenit janë si më poshtë:

2.1 Operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, në përputhje me “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19;

2.2 Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, në përputhje me “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19;

2.3 Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose deri në tre (3) nëse janë anetarë të së njëjtës familje, në përputhje me “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid19”;

2.4 Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, në perputhje me “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19;

2.5 Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”;

2.6 Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), në perputhje me “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;

2.7 Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, në perputhje me “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;

2.8 Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, në perputhje me “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.

Vendimi hyn në fuqi sot, në orën 18:00!

Komuna e Prizrenit falënderon gjithë qytetarët për respektimin e masave anti-Covid, thuhet në një komunikatë nga komuna e Prizrenit./GazetaePrizrenit.net