Në lindjen e parë, 26-vjeçarja lind trinjakë në Prizren

Pa kaluar një muaj, në Prizren ka ndodhur edhe një rast i lindjes trinjakë (trigenimi). Një nënë, 26 vjeçare, dje ka lindur dy vajza dhe një djalë, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Rastin e ka konfirmuar drejtori i qendrës “Dr. Daut Mustafa” të Prizrenit, Dr. Afrim Avdaj.  Ai tha se lindja është kryer me operacion (sekcio). “Nëna ka lindur për herë të parë dhe është duke u trajtuar në repartin e Obstetrikës, ndërsa foshnjat e porsalindura në repartin e Neonatologjisë”, tha për portalin “GazetaePrizrenit.net” ai.

Foshnjat e porsalindura kishin peshë prej 2.500 gram, 2.340 gr., dhe 2. 020 gr.

Një rast tjetër i lindjes trinjake në spitalin e Prizrenit ndodhi në fund të muajit dhjetor të vitit që shkoi. Një grua nga fshati Skorobisht, afër Prizrenit, në lindjen e tretë me radhë, solli në jetë tri foshnja, të tre djem. Ndryshe, lindjet trinjake janë të rralla në qendrën spitalore të Prizrenit, ndërsa kjo ishte e vetmja gjatë vitit 2018.

Një situatë tjetër paraqitet sa u përket lindjeve gemellare (binjak). Për dallim nga viti paraprak, gjatë 2018-ës numri i tyre është shtuar për 11 sosh. Në librin e repartit përkatës të spitalit në Prizren janë regjistruar 40 raste të tilla. /GazetaePrizrenit.net/

P.S  Foto është huazuar nga interneti