03-11-2024

Në Lugishtë të Hasit shtohet kapaciteti i ujit të pijes

Banorët e Lugishtës së Hasit, do ta kenë më të lehtë furnizimin me ujë, sidomos gjatë ditëve të verës. Atje sot është përuruar projekti për shtimin e kapacitetit të ujit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, pasi ka marrë pjesë në përurimin e projektit në këtë fshat, ka deklaruar se falë investimeve të komunës, nga sot rajoni i Hasit po lidhet me rrjetin e ujësjellësit.

Në profilin e tij të “facebook-ut”, ai ka shkruar se fillimisht në këtë projekt është kyçur Lugishta, ndërsa me kyçje do të vazhdohet edhe në fshatra të tjera të kësaj ane.

“Rajoni i Hasit, për shkak të konfiguracionit gjeografik, gjithmonë “ka hjek” për ujë, dukuri që është e shprehur edhe në veshjet tradicionale të grave të këtij rajoni. Pas finalizimit të fazës së parë të këtij projekti, Lubizhda e Hasit ka filluar të furnizohen me ujë të pijes nga gypat kryesorë si dhe nga stacioni i pompave me rezervuar”, ka shkruar ai.

Projekti është realizuar në bashkërenditje të Komunës së Prizrenit, KRU “Gjakova” (ish-Radoniqi), Qeveria Zvicerane dhe Qeveria e Kosovës.

“24 orë ujë për Hasin, ka qenë një prej premtimeve të mia për qytetarët e kësaj ane”, ka thënë Haskuka.

Ndryshe, Lugishta është ndër fshatrat më të dëmtuara gjatë luftës, si në njerëz ashtu edhe në dëme materiale.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.