Në Malishevë përkujtohen dëshmorët Adem dhe Hajriz Morina

Sot në Malishevë janë përkujtuar dëshmorët e kombit Adem dhe Hajriz Morina nga Drenoci, të cilët, më 24 gusht të vitit 1998, ranë dëshmorë, për të mos vdekur kurrë. Në nderim të dy dëshmorëve të kombit, sot janë bërë homazhe nderime në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe është mbajtur një akademi përkujtimore, ku është kujtuar jeta dhe vepra e dëshmorëve Adem dhe Hajriz Morina.

Krahas familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, në akademinë përkujtimore, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ish kryetar të komunës dhe ish deputet të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe veteranë të luftës.

Duke folur në këtë akademi përkujtimore, i pari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se “si institucione dhe si shoqëri, e kemi për obligim ti nderojmë dëshmorët dhe të punojmë për vendin, pasi për këtë vend,  kanë rënë dëshmorët”. “Ju familjarë të jeni të fortë dhe të jeni krenar për dëshmorët, pasi ju falët gjënë më të shtrenjtët për lirinë e vendit”, tha mes tjerash kryetari Begaj, në fjalën e tij.

Ndërsa nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, përveç fjalëve për dëshmorët, i dha edhe disa porosi, duke filluar me porosinë për mos ndarje në ngjyrime politike për dëshmorët, pasi dëshmorët janë të kombit dhe jo të subjekteve politike, porositi qytetarët, që sa më pak të përlahen për partitë politike, ndërsa veteranëve manipulator, ju bëri thirrje që vet të tërhiqen dhe të mos përballen me ligjin, kurse për çështjen e demarkacionit me Serbinë, tha se nuk beson që ka shqiptar që e tradhton vendin. Duke folur për Malishevën, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, publikisht kërkoi nga institucionet e vendit, që ta ndihmojnë më shumë Malishevën, në ndërtimin e saj, pasi Malisheva, është vendi më meritor për lirinë e vendit, sepse më së shumti ka kontribuar në luftë.

Në akademi, në emër të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë, ka folur edhe kryetari i saj, Sinan Gegaj, ndërsa historiani dhe publicisti Pren Buzhala ka mbajtur një kumtesë.

Fillimisht, për biografinë e dy dëshmorëve të kombit, ka folur kryetari i fshatit Drenoc, Kapllan Krasniqi.

Në fund të kësaj akademie, kryetari i Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Malishevë, Metush Kryeziu dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i kanë ndarë dekoratat e dhëna nga OVL e UÇK-së, në Malishevë.

 Në emër të familjarëve, për organizimin e kësaj akademie dhe për nderimin e bërë për dëshmorët, të pranishmit, i ka falënderuar, Kushtrim Morina, djali i dëshmorit, Adem Morina.