Nëse vjen në pushtet, PDK thotë se do të rikthejë Ministrinë e Diasporës
Partia Demokratike e Kosovës thonë se do të kenë tre kandidatë nga diaspora në listën e deputetëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ata gjithashtu planifikojnë rikthimin e Ministrisë së Diasporës. Këto e vendime të tjera, kandidati i PDK’së për kryeministër Enver Hoxhaj ua ka thënë mërgimtarëve nëpërmjet një konference online.
Sipas njoftimit të PDK’së, ata planifikojnë lirimin e e mërgimtarëve nga sigurimi kufitar.
Njoftimi i plotë i PDK’së:
Kryetari në Detyrë i PDK’së, njëherësh edhe kandidati për Kryeministër të Kosovës, Enver Hoxhaj së bashku me anëtarin e kryesisë dhe udhëheqësin e Departamentit për Diasporë, Elmi Reqica, kanë zhvilluar sot një konferencë online me pjesëtarë të mërgatës tonë nga Zvicra, Gjermania, Suedia, Finlanda dhe Kanada.
Gjatë kësaj konference kryetari Hoxhaj ka njoftuar bashkatdhetarët me 4 vendimet e reja që PDK-ja ka marrë për Diasporën.
1. PDK-ja do të ketë tri vende për diasporën në listën e saj për deputetë.
2. Rikthimi i Ministrisë së Diasporës, e cila u shua nga qeveria LVV-LDK. Edhe ministri do të jetë nga diaspora.
3. Nismë parlamentare për ulëse të rezervuara për diasporën shqiptare në Kuvendin e Kosovës, sikur disa vende në rajon dhe gjetiu.
4. Diaspora të lirohet nga obligimet e sigurimit kufitar deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove së Kartonit të Gjelbër.
Punën për diasporën e kemi obligim dhe PDK-ja do t’i përgjigjet këtij zotimi.