19-04-2024

Ngacmimet seksuale ndaj grave në Prizren, kundërshtohen me protestë

Një marsh protestues kundër ngacmimeve seksuale ndaj grave në Prizren, do të mbahet nesër, nga ora 13:00.

Organizata FEMaktiv ka njoftuar se rastet e ngacmimeve seksuale janë duke u shtuar , por rasti i fundit i tentimit të përdhunimit të një gruaje në rrugën e Marashit në Prizren, është tejet shqetësuese, veçanërisht marrë parasysh heshtjen institucionale ndaj këtij rasti.

“Rasti i tentimit të përdhunimit të një gruaje në Prizren si dhe ngacmimet e shumta seksuale, janë gjithnjë e më shumë duke i larguar gratë nga hapësirat publike. Kështu duke i frikësuar dhe izoluar ato. Në bazë të një raporti rreth sigurisë së grave në hapësira publike në Prizren, del që 70% e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike, ndërsa 76% prej tyre janë ngacmuar gjatë shfrytëzimit të këtyre hapësirave”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Sipas FEMaktiv, e drejta për hapësira publike nuk mund të mohohet ngase ajo është një e drejtë njerëzore që i garantohet të gjithë qytetarëve. Për më tepër, rastet e ngacmimeve seksuale dhe tentimet të përdhunimit janë raste të papranueshme dhe duhet të merren masa të menjëhershme.

“Ne, si grup i vajzave dhe grave të komunës së Prizrenit së bashku me qytetarët kemi vendosur të protestojmë. Këtë të diele në ora 13:00 në rrugën e Marashit do të protestojmë në mënyre simbolike, me kërkesën që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për t’i parandaluar këto dukuri. Ndërsa, ne jemi të vendosur që të vazhdojmë të protestojmë deri sa kërkesat tona të realizohen dhe të ketë siguri për të gjithë”, thuhet ndër tjera në njoftim.

 

Asnjë koment

Comments are closed.