NgomFest sërish do të ‘pushtojë’ Kalanë e Prizrenit
Kalaja e Prizrenit edhe sivjet mirëpret edicionin e 8-të më radhë, të Festivalit NgomFest, i cili pritet të tundë gurët e saj, shkruan KultPlus.
Edicioni i 8-të i NgomFest sivjet nisë nga 12 e deri më 15 korrik.
Publiku dhe ndjekësit e festivalit NgomFest janë mësuar që të rrugëtojnë së bashku me festivalin, duke u zhvendosur nëpër hapësira të ndryshme si skena në Shatërvan, skena në Marash e të tjera. Mirëpo edhe në këtë edicion ky festival ka zgjedhur Kalanë e Prizrenit, e cila mbanë copëza të historisë dhe trashëgimisë sonë.
Kujtojmë se Festivali “bredhacak” i Prizrenit i cili në fillimet e tij ishte i njohur për zhvendosjen nga një lokacion në tjetrin, për herë të parë ishte vendosur në kala, në edicionin e tij të 6-të. Përveç muzikës edicioni përcolli edhe mesazhin kryesor të festivalit e që është mbrojtja e monumenteve historike.
Edhe ky edicion si të tjerë do njihet për veçantit e tij theksoi për KultPlus Ulpiana Emra, nga stafi organizativ i festivalit.
“Ajo që tashmë është bërë e zakonshme edhe është veçantia e këtij festivali është vendndodhja në kalanë e qytetit të Prizrenit si dhe periudha kohore e cila e përfshin edhe lindjen e diellit në mëngjes, ku audienca jone përpos që mund të kënaqet me muzikën do e shijojë edhe një pamje të mrekullueshme”, tha ajo.
E përpos këtyre dy veçantive normalisht do të ketë edhe artist të njohur të cilët do e argëtojnë publikun për 3 net radhazi. Ndër ta janë: Nick Warren, Insolate, Deepbass, GJIKO, The Black Room, Bottlecap, dhe shumë të tjerë që do të bëhen publik së shpejti.
“Gjithashtu kemi edhe artistë të ri për të cilët skena jone gjithmonë është e hapur. Ata deri më tani kanë aplikuar që të jenë pjesë e këtij festivali dhe mendoj që është një mundësi shumë e mirë për promovimin e tyre si artistë”, u shpreh ajo.
Në kala, në kuadër të festivalit do të vendosen dy skena “Skena Kryesore” ku artistë të ndryshëm do të performojnë deri në ora 2:00 të mëngjesit dhe “Skena e Lindjes së Diellit” ku publiku mund të shijojë pamjen që ofron kalaja gjatë lindjes së diellit ndërkohë që argëtohen me muzikë.