Ngritet aktakuzë në Prizren, një person dyshohet se tentoi të falsifikonte 700 mijë dollarë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë në tentativë”, raporton Gazeta e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, L.B., prej tetorit të vitit 2019 deri më 20.01.2020 në shtëpinë e tij dhe në garazhë në fshatin Hoqë e Qytetit – Komuna e Prizrenit, tenton të prodhojë para të falsifikuara të valutës 50 dollarë amerikanë me qëllim që t’i vë në qarkullim si të vërteta.

Lexo Edhe:

Në arsimin prizrenas kërkohet intervenim urgjent

Kjo me qëllimin që të përgatitë pajisjet si: fotokopje, printer, skaner, një makinë për ngjyrosjen dhe shtypjen e parave si dhe letrën A4 të cilësisë së lartë për printim, ku përmbajtja e këtij materiali të letrës e ka figurën dhe formën që gjendet në kartëmonedhën 50 dollarëshe, vijat identifikuese si dhe shiritin e sigurisë e ka të njëjtë, të një kualiteti të mirë për falsifikim.

“Në këtë mënyrë, i pandehuri i ka përgatitur që në një letër të formatit A4 të printohen 4×50 dollarë, ndërsa nëse merret numri i letrave që është 500 copë në një paketë, ajo arrijnë shumën rreth 100.000 dollarë në një paketë, dhe nëse merret numri prej 7 paketave të letrës të cilët janë konfiskuar dhe ishin përgatitur për printim kishin arritur shumën prej 700.000 dollarë kartëmonedha të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.

Me këto veprime, prokuroria vlerëson se L.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i parasë në tentativë” sipas KPRK-së. /GazetaePrizrenit.net