Xhemile Thaçi Vezgishi është drejtoresha e re në Drejtorinë Komunale të Arsimit, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Ajo është e diplomuar në gjuhë dhe letërsi angleze, ndërsa studimet master i ka përfunduar në trashëgimi kulturore dhe menaxhim të turizmit, si dhe është duke i vijuar ato edhe në letërsi angleze.
Ka punuar si profesoreshë e gjuhës angleze dhe është angazhuar në projekte të ndryshme në organizatat ndërkombëtare si UNOPS, OSCE, EUOEM dhe së fundi në Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nëpërmjet Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Në njoftimin që ka bërë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ndër tjera thuhet se me punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, synohet që të arrihen suksese të mëdha në fushën e arsimit, në veçanti duke e rritur cilësinë dhe duke realizuar projekte të shumta e të rëndësishme.
“Fakti se ajo është një figurë apartiake dhe emri saj nuk ndërlidhet me asnjë parti politike, jep një mesazh të qartë dhe tregon vendosmërinë tonë për depolitizimin e sistemit arsimor”, ka shkruar ai./GazetaePrizrenit.net