30-04-2024

Opozita në Prizren kritikon qeverisjen lokale për punësime partiake

35 persona ka angazhuar me kontrata mbi vepër Komuna e Prizrenit në muajin shkurt. Por nga konkursi i hapur në Drejtorinë e Urbanizmit në këtë komunë fillimisht ishte paraparë të punësoheshin vetëm 25.

Opozita në Prizren ka kritikuar qeverisjen komunale për punësimin e dhjetë personave më shumë që, sipas tyre, është bërë për të rehatuar aktivistë të partisë në pushtet, Vetëvendosjes, raporton KTV.

Por në Komunën e Prizrenit kanë mohuar akuzat e opozitës. Zyra për media e kësaj komune ka thënë se personat e punësuar janë angazhuar për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Në përgjigjen me shkrim është thënë se përzgjedhja e kandidatëve është bërë nga komisioni përzgjedhës, i cili ishte i pavarur në vlerësimin e kandidatëve më të suksesshëm.

“Meqenëse Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa leje nuk mund të zbatohet me 6 zyrtarë të rregullt të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, për këtë arsye drejtori i Drejtorisë pas analizimit të nevojave së bashku me stafin e Drejtorisë ka kërkuar nga kryetari i Komunës të angazhohen persona me shërbime të veçanta”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës.

KTV-ja ka provuar të kontaktojë edhe me disa nga të punësuarit nga ky konkurs, por nuk ka marrë përgjigje.

Asnjë koment

Comments are closed.