25-04-2024

Paraburgim të dyshuarve për vjedhjen e lopëve në Has

Dy nga personat e arrestuar, për të cilët dyshohet se janë të implikuar në grupin që vodhën lopë në Has ndodhen në paraburgim, ndërsa policia rajonale në Prizren, që dyshon se grupi mund të jetë më i madh, ka njoftuar edhe për arrestimin e një personi tjetër, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Nata e 18 nëntorit të vitit që shkoi nuk ishte e zakonshme në fshatin Mazrrek të Hasit, që ndodhet rrëze maleve të Pashtrikut. Në tri stalla të familjeve të këtushme janë vjedhur shtatë (7) lopë. Vjedhjet ishin kryer natën midis të shtunës dhe dielës, ndërsa kjo sigurisht ka qenë strategji e hajdutëve,  për t’i ikur më lehtë organeve të rendit.

Pas kësaj policia nisi punën për zbulimin e hajdutëve dhe se gjatë procesit kuptoi se dyshimet çojnë në një grup që ka operuar për realizimin e këtyre vjedhjeve. Fillimisht,  në fund të vitit që shkoi policia në Malishevë njoftoi se në kërkim të vjedhjes së lopëve atje,  kishte arrestuar dy persona me inicialet A. S. dhe V. S., ndërsa këtë javë policia në Prizren bëri të ditur  edhe për arrestimin e të dyshuarit  të tretë,  i cili gjendej në arrati, e që ndërlidhet me rastin e vjedhjes së lopëve në fshatin Mazrrek të Hasit. Gjithashtu edhe në këtë rast policia nuk zbuloi identitetin e të arrestuarve e as vendin,  por vetëm njoftoi për arrestimin.

E pyetur për deklarimet e tyre në Prokurori,  zyrtarja për media në  Prokurorinë  Themelore në Prizren, konfirmoi se dy prej personave të arrestuar gjenden në paraburgim. “Rasti është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, ndërsa Prokuroria do të veproj konform dispozitave ligjore”, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” ajo.

Pasi një hajni e tillë e lopëve sikur në Has kishte ndodhur edhe në Malishevë, policia ishte vënë në kërkim të hajdutëve,  ndërsa si rezultat katër nga shtatë lopët e vjedhura në Mazrrek u gjetën në një stallë në Shipol të Mitrovicës, derisa tri ishin prerë, por si dëshmi kishte mbetur lëkura.

“GazetaePrizrenit.net” edhe më parë ka shkruar për këtë rast:

Hajdutët e lopëve në Has e Malishevë, arrestohet një pjesë e grupit

Asnjë koment

Comments are closed.