25-04-2024

Sonte në Prizren premiera e monodramës “02.08.1944”

Sonte në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren do të shfaqet premiera e monodramës “02.08.1944”, që trajton temën e viktimizimit të romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kampin e Përqendrimit në Auschwitz, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Autori i saj Edis Galushi,  ka paraqitur burgosjen  e afër 23 mijë romëve në këtë kamp. “Nata e 2 Gushtit 1944 njihej si “zgjidhja përfundimtare” për romët në Auschwitz. Atë natë gjithsej 2,989 romë janë shfarosur në dhomën e gazit. Përmes rrëfimit personal të personazhit të shfaqjes tregohet trajtimi i tmerrshëm i romëve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Ky projekt kulturor është mbështetur nga programi Kultura për ndryshim, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Projekti implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut. Qëllimi i mbështetjes është forcimi i sektorit kulturor si një shtysë për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës përmes përkrahjes të projekteve të qëndrueshme, dhe aktiviteteve të organizatave kulturore që promovojnë kreativitetin, gjithë-përfshirjen sociale dhe bashkëpunimin.

Premiera shfaqet sonte,  (e diel) duke filluar nga ora 19:00. Hyrja është me ftesa./GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.