Pasioni i Komandant Drinit

Të gjithë e kemi dashur, ndërsa tashmë vazhdojmë ta ruajmë kujtimin dhe respektin për të.

Më 8 maj mbushen 18 vjet nga vrasja në rrethana misterioze e Ekrem Rexhës, i njohur si Komandat Drini. Ishte oficer i karrierës, Komandat i Zonës Operative të Pashtrikut, pas luftës drejtor komunal për Ambient e Siguri.

Presidenti i Republikës së Kosovë ia ndau urdhrin “Hero i Kosovës”, ndërkaq Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dekoratën “Nderi i Kombit”.

Pasioni i rinisë së hershme të Komandant Drinit ishte radioamatorizmi.

Bashkim Gashi, ish-aktivist i organizatave të kulturës teknike në Prizren, njëherësh bashkaktivist i tij, tregon për “Gazetën e Prizrenit” se Ekremi me radioamatorizëm filloi të merret në kohën sa ishte nxënës i gjimnazit ushtarak. Nga kjo kohë, zhvilloi aktivitete edhe me radio-klubin e Prizrenit, me shenjën thirrëse “YU8FFG”.

Radioamatorizmi është aktivitet vullnetar, që u mundëson radioamatorëve njohje dhe afrim me kolegët e tyre nga mbarë bota, përmes radio-lidhjeve.

“Ekremi mbajti me mijëra lidhje radioamatore. Mori  pjesë në shumë gara të radioamatorëve, nga të cilat mori mbi 100 diploma. Ndër to Diploma WAC-radiolidhje me të gjitha kontinentet, e ndarë nga Unioni Ndërkombëtar i Radioamatorëve – IARU, diploma DXCC për lidhje të konfirmuara me 100 shtete”, tha Gashi.

Ekremi ishte nismëtar i takimeve të radioamatorëve nga mbarë Jugosllavia në Prizren, me ç’rast ndahej edhe diploma “Ballkani zonë e paqes”, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Derisa kujton disa momente të inkuadrimit të Komandant Drinit në luftën e UÇK-së, Bashkim Gashi tregon se Ekremi i mori pajisjet e radio-klubit për radiolidhje, duke i vënë në dispozicioni të qendrës së ndërlidhjes së Shtabit të UÇK-së për Prizren.

Abdyrrahim Spahiu, koordinator i Radio-klubit të Prizrenit u burgos, nga policia serbe, me akuzë se i ka dhënë UÇK-së pajisjet e Radio-klubit, dhe u mbajt në burg, gjer në qershor 1999, kur u lirua nga forcat KFOR-it.

Në shenjtë të kontributit të jashtëzakonshëm në përhapjen dhe zhvillimin e radioamatorizmit në Kosovë, Bashkim Gashi propozon që Shoqata e Radioamatorëve të Kosovës, të organizojë garën e radioamatorëve me emrin e Ekrem Rexhës.