23-12-2024

PDK do ta zgjedh sot kryesinë, paralajmërohen ndryshime në Prizren

PDK në Prizren, sot pritet t’i zgjedh strukturat udhëheqëse. Kjo do të bëhet në mbledhjen e Këshillit Drejtues të degës, prej të cilit pritet të dalë edhe kryesia prej 21 anëtarësh, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme për këtë subjekt, por edhe të ardhmen e Prizrenit. Nga kjo shihet qëndrimi i saj i mëtejshëm për reformim, pasi bëhet fjalë për strukturat e degës më të fuqishme në Prizren e Dukagjin, të një subjekti që pretendon rikthimin e pushtetit lokal, të humbur dy vjet më parë, pas qeverisjes prej një dekade.

Në zgjedhjen e strukturave konfirmohet se ka një harmonizim të qëndrimeve në mes të kryetarit të degës, Shaqir Totajt dhe ministrit të MKRS-së, Kujtim Gashit, të cilët kohët e fundit kanë pasur disa takime, prej të cilave edhe kanë postuar foto, me mesazhe për unitet brenda degës.

Fotografia e Shaqir Totaj

Po ashtu konfirmohet se një rol konstruktiv në këtë drejtim e ka dhënë edhe lideri i këtij subjekti Kadri Veseli.

Burime të besueshme konfirmuan se K. Gashi pritet të zgjedhet nënkryetar. “Po, ai është i propozuar për këtë pozitë”, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” një burim brenda degës.

Gashi ka thënë për portalin se i mbetet kryetarit ta propozojë ekipin dhe se ai është i gatshëm të punojë për përgjegjësitë që i caktohen.

Sipas burimeve të portalit zgjedhja e kryesisë do të bëhet nga anëtarët brenda Këshillit Drejtues, por merret vesh se disa përfaqësues nga “garda” e vjetër nuk parashihet të përfshihen në strukturat e reja.

Mbetet të shihet, nëse PDK do ta vazhdojë premtimin për reformim duke lënë jashtë strukturave njerëz me afera e të përfolur për abuzim e shpërdorim detyre.

Dega pritet t’i zgjedh tre nënkryetarë, pesë sekretarë dhe një sekretar të përgjithshëm. Rëndësi është thënë se do t’i kushtohet edhe përfaqësimit gjinor, kur 1/3 do të jenë femra.

PDK është partia më e madhe politike në Prizren, ndonëse pas zgjedhjeve të vitit 2017 mbeti në opozitë. Ky subjekt ka numrin më të madh të anëtarëve në Kuvendin Komunal, gjithsej 11, apo 4 më shumë se sa Vetëvendosje!, që për shkak të postit të kryetarit të Komunës, drejton pushtetin lokal.

Ndryshe, zgjedhja e kryesisë së degës është një test tjetër nga PDK, për të treguar se ajo është përcaktuar për ndryshimin e diskursit të qeverisjes, të cilin e tregoi në Kuvendin e fundit zgjedhor të degës në prill, kur zgjodhi Totajn, kryetar dege.

Ka qenë vetë kryetari Totaj, që ka deklaruar për portalin “Gazeta e Prizrenit” se gjatë procesit të brendshëm zgjedhor ka vërejtur një potencial të fshehur brenda këtij subjekti, persona që me vlerat e tyre paraqesin thesar për PDK-në dhe që së bashku me shumë profesionistë tjerë me integritet, do të paraqesin vlerë të shtuar dhe ofertë kualitative për Prizrenin.

Para strukturave të reja shtrohen sfida serioze, për të “ngjallur” aktivitetin e mirëfilltë opozitar, që i ka munguar PDK-së, gjatë kësaj kohe të qëndrimit në opozitë.

Për këtë, prioritet duhet të jetë afrimi i profesionistëve të fushave të ndryshme, veprimi i të cilëve është i domosdoshëm për t’i dhënë kontribut komunës, qeverisja aktuale e të cilës jo vetëm që nuk përmbushi pritshmërinë qytetare, por duket se i mungon kreativiteti dhe profesionistët e duhur, për të  kontribuuar në realizimin e detyrave të cilat rrjedhin nga ligjet për qeverisjen lokale.

Pas zgjedhjes së kryesisë, pritet edhe formimi sa më i shpejtë i komisioneve profesionale, jo vetëm për t’i paraqitur dobësitë e qeverisjes aktuale, por edhe duke dhënë ide për tejkalimin e tyre në të mirë të qytetarëve, e që PDK e ka paralajmëruar për në shtator.

Ajo që kërkohet nga dega e PDK-së, është që të jetë tepër e kujdesshme, që në trupat punues të mos caktojë njerëz të përfolur për keqpërdorime, përfshirë edhe ata në procese gjyqësore, angazhimi i të cilëve nuk do t’i jepte imazh të mirë këtij subjekti.

Këshilli Drejtues i PDK-së prej 71 anëtarësh, mblidhet sot në orën 17:00, ndërsa pritet edhe prezenca e liderit të saj, Kadri Veselit. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.