PDK harron “dërgimin” e presidentes në Gjykatën Kushtetuese

Po bëhen më shumë se tri javë prej kur ish ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj kishte thënë se janë mbledhur nënshkrimet e deputetëve për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, presidenten Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës.

Por, që nga atëherë asnjë veprim tjetër nuk është ndërmarrë.

“Indeksonline”, ka provuar që disa ditë të marrë një qëndrim nga deputetët Bedri Hamza, Mërgim Lushtaku e Ferat Shala dhe zyrtarë tjerë të PDK-së, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Në anën tjetër, e gatshme për t’i dhënë nënshkrimet ka qenë vetëm AAK, por që janë të pamjaftueshme pasi duhen 30 nënshkrimet të deputetëve për ta dërguar presidenten në Gjykatën Kushtetuese.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë thënë se do të presin veprimet që do t’i ndërmerr ish kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe Avokati i Popullit. Të paqasshëm për ketë temë kanë qenë edhe këta dy të fundit.

Ndërsa, deputeti Driton Selmanaj kishte thënë për “Indeksonline”, se do të pres vendimin e Grupit Parlamentar dhe pastaj do të dal më këtë qëndrim.

Shkarkimi i Valdete Dakës pati nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke e cilësuar si vendim arbitrar i presidentes Osmani dhe i nxitur nga kryeministri Albin Kurti. /Indeksonline/