Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren, ka kërkuar nga autoritet komunale ngritjen e shtatoreve të gjashtë dëshmorëve të kombit, në mesin e të cilëve edhe atë të komandantit Adem Jashari.
Propozimi për ngritjen e shtatores së Adem Jasharit, besojmë se është i mirëpritur nga të gjithë qytetarët, dhe nuk besojmë që ka ndonjë kundërshtim, por konsiderojmë se kjo çështje duhet trajtuar si veçantë nga dëshmorët tjerë, pasi ai është ikona e luftës, komandant legjendar.
Të kërkosh ngritjen e gjashtë shtatoreve dhe këtë duke e bërë përmes një komunikate, e aq më tepër të dielën, në një ditë pushimi, derisa kjo nuk është ndonjë çështje urgjente, të ngjan sikur të kërkosh, të mos bëhet asnjëra.
Të gjithë dëshmorët meritojnë shtatore për sakrificën sublime në luftë, por kjo tashmë duhet bërë në bazë të një vlerësimi paraprak të institucioneve përkatëse, përfshirë edhe shoqatat e luftës, për të parë se kujt dhe ku duhet ngritur shtatore.
PDK ishte në pushtet për 10-vjet në Prizren, andaj shtrohet pyetja pwrse nuk i bëri shtatoret e kërkuara, aq më tepër, as atë të Adem Jasharit. Një gjë e tillë ndërkaq, ka ndodhur gjatë qeverisjes së PDK-së në Sharr (ish-Dragash).
Përpos kësaj, subjektet politike, duhet ta kenë të qartë se tashmë gati dy dekada nga pas lufta, janë institucionet e vendit, të cilat edhe duhet të merren me këtë çështje. Dëshmorët e kanë dhënë jetën për Kosovën, andaj edhe institucionet e ngritura me themel në gjakun e tyre, kanë për obligim ta trajtojnë edhe ngritjen e lapidarëve dhe në bashkëpunim me akterët përkatës t’i gjejnë lokacionet më të përshtatshme, të cilat plotësojnë kushtet e parapara.
PDK që është partia më madhe në Prizren, pavarësisht që është në opozitë dhe që kryetarin e ka Vetëvendosje, këtë çështje është dashur ta ngrit në Kuvend, e jo ta bëjë përmes një komunikate.
Në këtë shkrim të portalit “Gazeta e Prizrenit” duhet ta kemi të qartë, askush nuk është kundër ngritjes së shtatoreve, për ata që dhanë jetën për lirinë të cilën e gëzojmë, por që idetë për projekte të mëdha, ku përjetësohen veprat historike duhet të konkretizohen, në këtë rast që ato të bëhen ndaras apo në një kompleks memorial kushtuar luftës së UÇK-së në komunën e Prizrenit.
Pas luftës, për afro 20 vjet janë ngritur vetëm 5 shtatore, ajo kushtuar heroit: Remzi Ademaj, Xhevat Berishës, Ismet Jasharit, Ismail Kryeziut në Arbanë dhe Pal Palucës. Ndërkohë tash kërkohet ngritja edhe e gjashtë tjerave. Njëherë le të kryhen këto që janë në procedurë, pra shtatorja e komandant “Drinit” të cilën e ka kërkuar edhe PDK dhe ajo për Selajdin Berishën./GazetaePrizrenit.net/