22-09-2020

Malishevë: Asnjë rast i infektimit me virusin e etheve hemoragjike

Situata epidemiologjike me EHKK (Ethet Hemorragjike Krime Kongo) në territorin e Komunës së Malishevës, është nën kontroll dhe deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me virusin e EHKK. Kështu është deklaruar në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të cilën e ka drejtuar nënkryetari i Komunës, Hajdin Berisha. Në këtë mbledhje është raportuar edhe për çështje tjera që lidhen me punën dhe aktivitetet e qeverisë komunale.

Drejtori komunal për shëndetësi dhe ai për mbrojtje dhe shpëtim, kanë deklaruar se pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, deri më tani, sikur edhe tri vitet e kaluara, nuk kemi raste të infektimit nga virusi i EHKK, ndërsa është duke vazhduar dezinsektimi i zonave që cilësohen endemike.

Në njoftimin e komunës, ndër tjera thuhet se në mbledhjen e sotme drejtorët komunal, kanë raportuar për punët dhe aktivitetet e vazhdueshme të drejtorive komunale, përfshirë edhe realizimin e projekteve dhe planeve komunale. Projektet janë duke vazhduar sipas planifikimeve, ndërsa është duke u bërë edhe mirëmbajtja e hapësirave publike.

“Siç u tha në këtë mbledhje, inspektorati komunal ka ndërprerë punimet në një rast të ndërtimit, pasi pronari nuk kishte respektuar parametrat e lejuara për ndërtim, ndërsa inspektorati është duke vazhduar me inspektimin e të gjitha marketeve, jo vetëm në qytet, por edhe nëpër fshatra”, thuhet në njoftim.

Javën që shkoi është mbajtur testi i arritshmërisë, ku janë përfshi 1.097 nxënës, ndërsa janë duke u bërë përgatitjet për mbajtjen e testit kombëtar të maturës.

Sa i përket buxhetit, përkatësisht hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, pas marrjes së qarkores së dytë buxhetore, është duke u punuar në hartimin e draft buxhetit, dhe me theks të veçantë është duke u punuar në aspektin e transparencës, ku gjatë hartimit të buxhetit do të përfshihen të gjitha grupet e interesit, përmes debateve dhe takimeve publike.

 

Asnjë koment

Comments are closed.