10-05-2026

Pensionohet Muharrem Elezkurtaj, profesor i gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren

Pas një karriere 35-vjeçare në shërbim të arsimit dhe edukimit të brezave të rinj, profesori i nderuar i Kimisë, Muharrem Elezkurtaj, përmbylli misionin e tij fisnik në arsim, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, që përkoi edhe me ditët e veçanta të maturantëve të këtij gjimnazi, ai u vlerësua për kontributin në arsimim, edukim dhe frymëzim patriotik të shumë gjeneratave.

Kolegët dhe bashkëpunëtorët e vlerësuan me respekt të veçantë për kolegialitetin, urtësinë, humorin dhe gatishmërinë e tij për të kontribuar në çdo rrethanë.

Elezkurtaj u vlerësua për forcën dhe optimizmin njerëzor edhe në periudhat më të vështira të jetës. Pasi u përball fillimisht me sëmundjen e rëndë të bashkëshortes nga kanceri, të cilën e humbi, ai më pas u sfidua edhe vetë nga e njëjta sëmundje. Me kurajë dhe vendosmëri arriti ta mposhtë atë, duke e përmbyllur karrierën e tij me dinjitet – me ditar në dorë dhe respektin e brezave pas vetes.

Duke iu drejtuar kolegëve në ceremoni ai tha se si profesor i kimisë ka mësuar se elementet e vetmuara kanë vlerën e tyre, por kur lidhen me njëri-tjetrin krijojnë diçka shumë më të fuqishme.

“Ashtu ka qenë edhe jeta ime me ju, me nxënësit, kolegët dhe punën. Unë mund të kem dhënë dije e mësime, por nga ju kam marrë shumë më tepër: buzëqeshje, energji, sinqeritet, shpresë dhe krenari sa herë kam parë nxënësit të ecin përpara me sukses”, theksoi profesori.

Elezkurtaj tha se me kolegët ka ndarë jo vetëm punën, por edhe lodhjen, stresin, hallet, humorin dhe kujtimet që nuk harrohen kurrë.

“Në momentet më të vështira të jetës sime, sidomos përballë sëmundjes, ju nuk ishit vetëm kolegë, u bëtë mbështetja dhe forca ime. Për këtë do t’ju jem mirënjohës gjithë jetën. Ndoshta sot largohem nga klasa dhe shkolla, por jo nga lidhja që kam krijuar me ju. Sepse, nëse kimia më ka mësuar diçka të madhe, është se lidhjet më të forta nuk janë vetëm mes elementeve, por mes njerëzve”, tha mes emocionesh ai, me mirënjohje e falënderim

Përveç kontributit në arsim, ai ishte aktivist i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në demonstratat e viteve ’80, ish i burgosur politik, pastaj nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, dy herë asambleist komunal, si dhe dashamirës i poezisë dhe kulturës. / Gazeta e Prizrenit /

Asnjë koment

Comments are closed.