23-04-2024

Për dy vjet 930 kallëzime penale, ku përfshihen të miturit në Prizren

Gjatë periudhës dy vjeçare 2016-2017 në Prokurorinë Themelore (PTH) në Prizren janë ngritur  930 kallëzime për vepra penale, në të cilat, pos ndonjë të rrituri të implikuar, shumica e 1.400 personave të përfshirë janë të mitur,  shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Krahasuar me vitin paraprak, del se gjatë vitit 2017 është shtuar si numri  lëndëve, ashtu edhe ai i personave të dyshuar. Gjatë kësaj kohe ka pasur katër lëndë më shumë, derisa numri i personave të përfshirë në to është shtuar për 16.

Në raporte janë të përfshira katër komuna të rajonit: Prizren, Suhareka, Sharri (ish –Dragashi) dhe Mamusha.

Nuhi Bytyci nga Shërbimi Sprovues për rajonin e Prizrenit,  tregon se shqetësim në vete përbëjnë, rastet e shfrytëzimit të armëve, e sidomos posedimi dhe përdorimi i thikave nga fëmijët nxënës të shkollave të rajonit, për të cilat vepra SHS ka aplikuar edhe masat e diversitetit.

Referuar shënimeve të PTH-së, del se gjatë vitit 2017, gjithsej në punë kanë qenë 16 kallëzime për armëmbajtje nga të miturit, ndaj 19 personave. Prej tyre kanë përfunduar 11 raste, në të cilën ishin të implikuar 13 persona. Rastet e tjera janë përcjellë për vitin 2018.

Ndër rastet më të shpeshta, kanë qenë rastet e kallëzimeve për posedim të armëve (përfshirë edhe ato të ftohta, si thikat, etj.), pastaj rrezikimit të trafikut publik, si dhe rastet kundër pasurisë.

Si pasojë e përdorimit të tyre nga të miturit, në prill të këtij vit, ndodhi një rast me pasoja tragjike, në stacionin e autobusëve në Suharekë, me ç’rast humbi jetën një 17 vjeçar ( djalë i vetëm i familjes), derisa një tjetër mori plagë të rënda trupore.

Nazan  Shero, prokurore në Departamentin për të mitur pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, thotë se në disa raste të veprimeve delikuente, fëmijët arrijnë të vetëdijesohen dhe ndërpresin devijimin, por në disa raste të tjera ata vazhdojnë me sjellje të njëjta dhe në disa raste përfundojnë si madhor dhe përsëritës të veprave.

Sa i përket vendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren, gjatë kësaj periudhe del se ndaj 18 personave është marrë aktvendim për shqiptimin e masës së diversitetit, ndaj 134 personave është marrë vendim për shqiptimin e masës edukative, derisa ndaj 1 personi është marrë aktgjykim dënues./GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.