23-11-2024

Përfundon çështja penale, pritet shpallja e aktgjykimit për policët kufitar në Vërmicë

Në Gjykatën Themelore në Prizren, ka përfunduar çështja penale kundër policëve kufitar Ilir Zogaj, Fatmir Berisha, Bafti Hoxha, Idriz Idrizi dhe Gëzim Berisha, të cilët akuzohen për keqtrajtim të gjyqtarit të Apelit, Driton Muharremi dhe familjes së tij, gjatë kalimit të kufirit Shqipëri-Kosovë në prill 2015.

Prokurori Beqë Shala, gjatë fjalës së tij përfundimtare, ka deklaruar se me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, me padyshim është vërtetuar se të akuzuarit kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë kalimit të të dëmtuarve në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.

Shala ka thënë se të akuzuarit duke mos u kujdesur që të kryejnë punën e tyre në legjitimimin e të dëmtuarve në mënyrë të rregullt, ka sjellë deri të ngjarja ku të keqtrajtuar kanë rezultuar të dëmtuarit Driton dhe Halit Muharremi, ndërsa vetëm pasi kanë kuptuar pozitën e tyre atëherë janë sjellë mirë dhe kanë kërkuar falje për veprimet e tyre.

Ndërsa, në anën tjetër, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, kanë deklaruar se të gjitha veprimet kanë qenë në kuadër të autorizimeve që dalin nga Ligji i Policisë së Kosovës dhe rregulloreve të punës, duke shtuar se pikërisht deri te incidenti ka ardhur pasi që të dëmtuarit kanë refuzuar të legjitimohen dhe të zbatojnë urdhrat e tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Zogaj, avokati Asman Hoxha, ka thënë se duke u bazuar nga deklaratat e të dëmtuarve të dhëna gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se klienti i tij nuk ka ndërmarrë veprime keqtrajtuese ndaj të dëmtuarve por se ka vepruar në qetësimin e situatës.

Hoxha ka thënë se vetë të dëmtuarit gjatë fazës së hetimeve në Inspektoratin Policor dhe deklaratave të tyre në shqyrtimin gjyqësor kanë treguar se krejt në fund të ngjarjes janë takuar me të mbrojturin e tij dhe se ai i ka ofrua ujë dhe karrige të dëmtuarit Halit Muharremi, ndërsa pas legjitimimit i ka liruar të vazhdojnë rrugën.

Poashtu edhe avokati Arben Ramadani, i cili mbron të akuzuarin, Fatmir Berisha ka kërkuar nga gjykata që ta lirojë klientin e tij nga aktakuza me arsye se ai gjatë ditës kritike vetëm ka zbatuar autorizimet që dalin nga ligji dhe rregulloret, duke mos i njohur fare të dëmtuarit dhe duke mos pasur qëllim që të përulë dinjitetin tyre.

Në këtë seancë ka paraqitur fjalën përfundimtare edhe avokati Bestar Kolgeci, i cili ka thënë se është parë shumë mirë nga video-incizimi i qasëti kritik nga kamerat e sigurisë se klienti i tij, Bafti Hoxha, ka asistuar në rast sipas kërkesës së kolegëve dhe se nuk ka përdorur fare forcë ndaj të dëmtuarve.

Avokati Pjetër Përgjoka i cili mbron të akuzuarin Gëzim Berisha a thënë se të akuzuarit, së bashku me klientin e tij kanë kryer të gjitha veprimet sipas ligjit dhe se deri të rasti ka ardhur nga mos respektimi i semaforit të pikës kufitare nga vozitësi Uran Muharremi.

Ndërsa, sipas avokatit Përgjoka, deri te eskalimi i situatës ka ardhur pasi që të dëmtuarit nuk janë sjellë konform rregullave dhe urdhrave të forcave të rendit, duke pretenduar paprekshmëri për shkak të pozitës së tyre dhe duke refuzuar që të binden ndaj urdhrave të policëve kufitar.

I akuzuari Idriz Idrizi në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se e ndien veten të pafajshëm dhe se provat që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor e vërtetojnë pafajësinë e tij, andaj ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm ndaj akuzave që i ngarkohen.

Në këtë seancë kanë munguar të dëmtuarit Halit dhe Driton Muharremi e poashtu edhe avokati i tyre Florent Latifaj, për të cilët, gjyqtarja e rastit, Shpresa Emra, ka thënë se nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Gjyqtarja Emra, pas dhënies së fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë, ka shpallur të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 13 qershor 2018.

Ndryshe, të akuzuarit Ilir Zogaj, Fatmir Berisha, Bafti Hoxha, Idriz Idrizi dhe Gëzim Berisha, akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prizren, se më 5 prill 2015, duke vepruar si zyrtarë policorë, kanë keqtrajtuar të dëmtuarit Driton dhe Halit Muharremin.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit, me këto veprime, kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe rrezikojnë dënim me burgim deri në tre vjet./betimiperdrejtesi/

 

Asnjë koment

Comments are closed.