Swisscontact do ta ndihmojë Prizrenin, në zhvillimin turizmit

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar Memorandumin e  Mirëkuptimit me agjencionin Swisscontact, e cila do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të turizmit.

 

Swisscontact në katër vitet e ardhshme do të ndihmojë sektorin privat me kofinancim të projekteve deri në 50 %, që kanë të bëjnë me rritjen e atraktivitetit të bizneseve që merren me turizëm.

 

Prizreni është rajoni më atraktiv në Kosovë dhe rajon për zhvillim të turizmit, ngase kësaj komune i takojnë shumica e majeve më të larta në Kosovë (në malet e Sharrit), kanjoni i lumit më të madh në vend (Drini i Bardhë), trashëgimia e pasur popullore në rajonet e Hasit, Vërrinit, Lumës, Kabashit e Anadrinisë si dhe trashëgimia kulturore e Qendrës Historike të qytetit.

 

Në njoftimin zyrtar, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka shkruar se kombinimi i turizmit rural me atë kulturor, i përcjellur edhe me manifestime të shumta kulturore, Prizrenin e bëjnë destinacion të jashtëzakonshëm për vizitorë.

 

“Komuna do të investojë në vazhdimësi në këtë sektor, prandaj i ftoj ndërmarrësit që të interesohen për projektin e shkëlqyeshëm të Swisscontact-it”, ka thënë ai.