19-05-2024

Përleshja në Rahovec: Këta janë tre personat e dyshuar që përfunduan në ndalim policor

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Raste të tilla janë shndërruar në një dukuri shqetësuese, duke u rrezikuar kështu siguria publike. Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në rrugën “UÇK” në Rahovec, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, në rast janë përfshirë rreth gjashtë persona, që dyshohet se u kapën mes vete për motive akoma të panjohura.

Siç mëson Sinjali, incidenti ka ndodhur në afërsi të një auto shkolle, ku Policia arriti të intervenojë dhe të dyshuarit u shoqëruan në stacion policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që u intervistuan si të dyshuar janë Albinot Zllanoga, Selami Zllanoga dhe Adem Zllanoga.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjakovë.

“Tre meshkuj kosovar janë arrestuar për arsye se janë përfshirë në një përleshje fizike (rrahje) midis vete. Të dyshuarit pas trajtimit mjekësor janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit janë dërguar në mbajtje.” – ka njoftuar Policia.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.