23-07-2026

Plagosje me ar*më në Prizren, Policia jep detaje për rastin

Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit në një incident që ndodhi pasditen e së enjtes në Prizren.

Sot, më 23 korrik 2026, rreth orës 17:00, në rrugën “Liman Shala” në Prizren janë raportuar të shtëna me armë zjarri, mëson Gazeta e Prizrenit.

Policia ka reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi, konfirmoi për Gazetën e Prizrenit se, sipas informacioneve të para, pas një fjalosjeje ndërmjet një personi të dyshuar në njërën anë dhe tre personave të tjerë në anën tjetër, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të palës tjetër.

Si pasojë e të shtënave, një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas Policisë, të gjithë personat e përfshirë në incident janë identifikuar. Përveç të lënduarit, personat e tjerë janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë nisur grumbullimin e provave dhe sigurimin e dëshmive materiale.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij incidenti. / Gazeta e Prizrenit /

Asnjë koment

Comments are closed.