23-11-2024

Policia e Kosovës bastis disa institucione financiare në veri

Policia e Kosovës po kryen bastisje në disa biznese në veri të vendit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani i tha Gazetës Express se kanë informacione se në to po zhvillohet veprimtari e kundërligjshme.

“Në bazë të informacioneve të pranuara se në disa biznese në Veri të vendit është duke u zhvillu veprimtari e kundërligjshme, me autorizim të prokurorit kemi ndërhy dhe të njëjtat jemi duke i kontrollu. Me neve është edhe ATK”, tha Elshani.

Mediat serbe raportojnë se Policia e Kosovës është futur në së paku katër degë të një banke në veri, si dhe në shërbimin e Bankës Popullore e Serbisë në Komunën e Leposaviqit.

Para një jave, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore tranzitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që synon ta heq dinarin serb si mjet pagese në vend.

Tash që euro konsiderohet valuta e vetme e vlefshme për transaksione në Kosovë, rregullorja e BQK-së parashikon ndëshkime për ata që e përdorin dinarin serb si mjet pagese.

BQK-ja ka thënë se gjatë periudhës tranzitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Kryeministri Albin Kurti tha para një jave se BQK-ja “e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi”.

Çështja e dinarit e ka përballur Qeverinë e Kosovës me kundërshtimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka kërkuar pezullimin e zbatimit të rregullores së re të BQK-së.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë takuar disa herë në Bruksel, në një përpjekje të pasuksesshëme për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje.

Asnjë koment

Comments are closed.