Policia konfiskoi mbi 110 patentë shoferë në rajonin e Gjakovës
Policia Rajonale e Trafikut në Gjakovë ka njoftuar se gjate aksionit ‘Droni’, ka konfiskuar 112 patentë shoferë për kundërvajtje të ndryshme, derisa janë shqiptuar edhe mbi 900 gjoba.
“Duke marr parasysh numrin e madh të kundërvajtjeve që shkaktojnë drejtuesit e mjeteve, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të tjerëve, si masa preventive dhe ndëshkuese në kuadër të aktiviteteve të kësaj task force, nga data 24.05.2024 e deri me datën 28.05.2024, janë konfiskuar si masë mbrojtëse njëqind e dymbëdhjetë (112) patentë shoferi për kundërvajtjet të ndryshme, ndër të tjera për: tejkalime në vende të ndaluara, tejkalime të kolonës së mjeteve, mos ndalja në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë etj.
Gjithashtu gjatë kësaj kohe janë shqiptuar edhe nëntëqind e dy (902) gjoba për kundërvajtje të ndryshme si: tejkalime të shpejtësisë, përdorimi i telefonit dhe mos vendosja e rripit të sigurisë gjatë ngasjes etj.”