Pranon fajësinë, dënohet me burgim me kusht i akuzuari për vjedhje të rrymës

Katër muaj burgim me kusht, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Jeton Popaj.

Por, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

I akuzuari Popaj, ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer, por ka kërkuar nga Gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit të merr si rrethanë lehtësuese se ai është i pa punë dhe se nuk ka kryer më parë vepër penale, duke premtuar se më nuk do ta përsërisë një vepër të tillë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as prokurori i shtetit, Ismet Tofaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 29 shkurt 2016, ndaj Jeton Popaj, duke e ngarkuar atë me veprën penale vjedhje e shërbimeve komunale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 2 mars 2015, në shtëpinë e tij në fshatin Fortesë të Komunës së Rahovecit, ka anashkaluar njehsorin elektrik, me një kabllo, nga e cila janë furnizuar me energji elektrike disa pajisje, duke pamundësuar regjistrimin e energjisë elektrike të shpenzuar.

Kështu, sipas prokurorisë, i është shkaktuar dëm kompanisë KEDS, distrikti në Gjakovë, në vlerë 506. 35 euro./betimiperdrejtesi/