Telefonin e vjedhur e ndërron me 1.5 gram drogë

Mungesa e një karte të identitetit nga ana e të akuzuarit për vjedhje, M. Sh, ka bërë që seanca e paraparë për të enjten ndaj tij të mos mbahet.

Për shkak të pamundësisë për të njohur dhe identifikuar të pandehurin në këtë çështje, kjo seanca e sotme në Gjykatën Themelore në Prizren, është shtyrë për një ditë tjetër.

Gjykatësja Teuta Krusha, ka deklaruar se për të pandehurin në fjalë kishte disa ftesa te rregullta  nga kjo gjykatë, mirëpo asnjëherë nuk u është përgjigjur, derisa sipas saj, në këtë seancë i akuzuari ka ardhur pa ndonjë kartelë identifikuese.

Kurse, i akuzuari ka thënë se dokumentet i kishte harruar në shtëpi, duke premtuar se ato do t’i ketë për seancën e radhës.

Ne këtë seancë ka qenë prezent edhe prokurori i rastit, Shpend Binaj.

Shqyrtimi i radhës është caktuar të mbahet më 7 shtator 2018, në orën 09:00.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj M. Sh, duke e akuzuar se më 18 tetor 2015, në restorantin e pompës së derivateve “Spahia Petrol” në Prizren, me dashje merr pasurinë me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Shega, ishte ofruar banakut të restorantit dhe nga aty kishte arritur të merrte një telefon te tipit “Iphon4”, që i përkiste të dëmtuarit  A.H, që punonte si kamerier në këtë restorant.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, i akuzuari këtë telefon ia kishte shitur një personi nga Shqipëria, ku si kompensim kishte pranuar një sasi droge prej 1.5 gramë e llojit heroinë.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vjedhjes, nga neni 325 par 1, te KPRK-së./betimiperdrejtesi/