17-05-2024

Premtimi i dështuar për pavarësimin e gjimnazit në Has nga ish-drejtori Skënder Susuri

Premtimi për pavarësimin e paraleles së gjimnazit “Gjon Buzuku” në fshatin Ramajë të Hasit, si shkollë amë, që ishte bërë vitin e kaluar nga ish-drejtori komunal për Arsim në Prizren, Skënder Susuri, jo vetëm që nuk u realizua, por më as që përmendet, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Në maj të vitit të kaluar ish-drejtori premtoi pavarësimin e disa shkollave, e ndër to edhe gjimnazin në Ramajë.  Susuri, pas marrjes së detyrës shefit të Arsimit në Komunë, në maj të vitit 2018, pat premtuar se vendimin për ndarje të gjimnazit, hasjanëve pritej t’ua komunikonte vetë ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyçi, me 12 qershor të vitit të kaluar.

Në këtë rast madje, në fillim të qershorit 2018, në rrjete sociale ishte paralajmëruar për marrjen e vendimit nga shkolla.

Tashmë ka kaluar më shumë se një vit dhe nuk ka asnjë lëvizje të dukshme në këtë drejtim, ndërkohë që as drejtori Susuri nuk mban më pozitën prej nga premtoi, pasi është larguar tre muaj më parë, sipas kërkesës së partisë së tij, Nismës, që deri javën e kaluar ishte pjesë e qeverisjes lokale të Prizrenit.

Por, ndonëse siç shihet edhe në foto, vizita e ministrit u realizua në gjimnazin e Ramajës, mbeti pa u realizuar pavarësimi i shkollës, që ishte më i rëndësishëm se vizita. Përkundër premtimit të Susurit, dukej se ministri Bytyçi nuk kishte shumë informacione rreth pavarësimit të premtuar të shkollës së mesme në Ramajë.

Përfaqësues të opozitës në Prizren, patën thënë se kjo më tepër ngjante me përpjekjet për përfitime partiak të ish-drejtorit në rajonin e Hasit.

Kjo shkollë është hapur, në vitin 1997 fillimisht si paralele e ndarë e shkollës së mjekësisë, për të ndihmuar më tepër shkollimin e vajzave të kësaj ane. Në mungesë lokali, një kohë mësimi është mbajtur në objektin e shkollës fillore.  /GazetaePrizrenit.net

Në këtë link mund të lexoni, shkrimin para një viti rreth pavarësimit të këtij gjimnazi:

Pavarësohet gjimnazi në Ramajë të Hasit

Asnjë koment

Comments are closed.