23-11-2024

Presidentja kroate, Kitaroviq dekoron ish-luftëtarin Esad Çollaku, me origjinë nga Prizreni

Presidentja e Republikës së Kroacisë,  Kolinda  Grabar Kitaroviq e ka dekorur kryetarin e Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë (USHRK), Esad Çollaku, që ka origjinë nga Prizreni me dekoratën e lartë “Rendin e Thurjes Kroate”, transmeton  “gazetaeprizrenit.net”.

Në njoftimin e (USHRK) thuhet se deri më tani  Çollakut i janë ndarë shtatë dekorata për kontributin në luftën atdhetare në Kroaci, por edhe në Kosovë.

 

Ai është dekoruar nga presidentët e tri shteteve: Kroacisë,Shqipërisë dhe Kosovës dhe atë nga Dr. Franjo Tugjman, presidenti i parë demokratik i Kroacisë, nga ana e Këshilli Kroat të Mbrojtjes, Mate Boban.

Dekoratë ka marrë nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, presidentët e Republikës së Kosovës: Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi dhe tani së fundi nga ana  presidentja  kroate.

“Çollaku, aktualisht kryetar i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë ( Unija Albanaca) në moshën 18 vjeçare si vullnetar i është bashkangjitur njësive ushtarake të Kroacisë në luftë kundër agrsionit seb. Rruga e tij ushtarake është e përmbledhur në shumë fronte lufte në Kroaci, por edhe në Bosnje e Hercegovinë”, thuhet në njoftim.

Në betejat luftarake gjatë kësaj kohe është plagosur pesë herë dhe është invalid i luftës. Artin ushtarak e ka zotëruar në mënyrë të shkëlqyeshme për çka dëshmojnë betejat të cilat i ka fituar, duke treguar trimëri të veçantë për çka më shumë flasin shokët e tij të luftës.

Kur flitet për rrugëtimin ushtarak të Çollakut duhet gjithësi të përmendet edhe pjesëmarrja e tij në luftën çlirimtare në Kosovë me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë duke dhënë një kontribut të çmuar.

“USHRK si organizatë kulmore e shqiptarëve në Kroaci është i nderuar me faktin se në mjedisin e vet ka një personalitet si Çollaku i cili për punën dhe kontributin ushtarak është nderuar nga institucionet e tri shteteve me dekorata të larta shtetërore”, thuhet në njoftim./gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.