26-04-2024

Prizren: Aktakuzë pasi dyshohet se i dha fqinjit para borxh për djalin e sëmurë e më pas ia kërkoi me kamatë të lartë

Aktakuzë ndaj prizrenasit, akuzohet se i dha fqinjit para borxh për djalin e sëmurë e më pas ia kërkoi me kamatë të lart

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për veprat penale – fajde, detyrim dhe dëmtim i pasurisë.

Aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve F.Gj. dhe A.D.

Sipas aktakuzës, i pandehurit F.Gj. nga fundi i vitit 2020 e deri në fillim të vitit 2022, me qëllim të përfitimit i ka dhënë para borxh fqinjit në gjendje të rëndë financiare, të cilit mjetet i duheshin për shërimin e djalit të sëmurë.

Sipas Prokurorisë, F.Gj. të dëmtuarit më pas për çdo vonesë i ka caktuar kamatë të lartë për borxhin.

“F.Gj., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Sh.H., në atë mënyrë pasi i duheshin të holla për shërimin e djalit të sëmurë, duke e njohur të pandehurin ngase me të njëjtin kanë jetuar më parë në fqinjësi, shkon tek i pandehuri F.Gj., nga i cili merr 1,000 euro të holla” – thuhet në njoftim.

Më tej në aktakuzë thuhet se i pandehuri F.Gj. njofton të dëmtuarin se për çdo vonesë duhet të paguajë kamata mujore.

“I dëmtuari për 14 muaj rresht vazhdon të paguaj nga 200 euro kamata mujore duke i dhënë në total 2,800 euro të pandehurit mirëpo kur nuk arrin t’ i jap të hollat, i pandehuri e paralajmëron se përveç 1000 eurove të borxhit dhe 200 eurove në emër të kamatës së muajit janar 2022, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj kamata ditore nga 20 euro, nga të cilat 1,000 euro i dëmtuari i jep më datë 2 shkurt 2022”- thuhet më tej në aktakuzë.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale – detyrimi dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Kurse, kur F.Gj. nuk ishte prezent, i pandehuri A.D., sipas Prokurorisë, i merrte kamatat nga i dëmtuari.

“A.D., me dashje dhe me qëllim ndihmon në përfitim të kundërligjshëm të pasurisë për personin tjetër – të pandehurin F.Gj., kur i pandehuri F.Gj., nuk ishte prezent, atëherë i dëmtuari Sh.H., i paguante kamatat tek i pandehuri A.D., në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas ia dërgonte të pandehurit F.Gj.” – sqarohet në akuzë.

Me këto veprime, A.D. ka kryer veprën penale fajdeja në ndihmë.

Prokurori i çështjes ka kërkuar që shumat e të hollave të konfiskuara t’i kompensohen viktimës./KALLXO, com

Asnjë koment

Comments are closed.