04-05-2024

Prizren: Bashkësia e vogël me vlerë të madhe

Ndonëse prej viteve ‘60 të shekullit të kaluar kanë mbetur pa sinagogën e tyre të fundit në Prishtinë, përfaqësuesit e kësaj bashkësie fetare pohojnë se jetesa e tyre zhvillohet në një atmosferë pozitive, kryesisht falë traditës së trashëguar të tolerancës dhe mirëkuptimit në Prizren, shkruan sot Koha Ditore.

Përfaqësuesi i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri, shpjegon se anëtar i komunitetit hebraik është ai njeri të cilin e pranon shteti i Izraelit.

“Ata i kanë organizatat e veta që verifikojnë trashëgiminë familjare. Momentalisht janë 56 pjesëtarë dhe të gjithë janë në Prizren”, thotë Demiri.

Sipas tij, aktualisht hebrenjtë në Kosovë jetojnë në harmoni me komunitetet e tjera fetare, pa ndonjë vështirësi.

“Është merita e Prizrenit. Prizreni është i lindur për tolerancë, për mirëkuptim mes njerëzve. Në qoftë se në çdo 50 metra kemi monumente religjioze të ndryshme, kjo tregon që njerëzit e kësaj gjeografie kanë pasur një tolerancë dhe mirëkuptim”, deklaron Demiri.

Edhe vajza e tij, Ines Demiri, që aktualisht shërben si diplomate e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pohon se në Kosovë nuk është ballafaquar me telashe për shkak të përkatësisë së saj fetare. Përkundrazi, thekson se gëzon respekt në institucionet publike ku është angazhuar si punonjëse. “Kur kam filluar punën në Ministrinë e Punëve të Jashtme aty e kam vërejtur një respekt të veçantë, jo ndaj Inesit personalisht, por ndaj komunitetit hebraik të Kosovës, madje edhe ndaj shtetit të Izraelit”, thotë ajo, duke konfirmuar se në ministri i është krijuar hapësira e nevojshme, që si diplomate të angazhohet në përafrimin e marrëdhënieve të shtetit të Izraelit me shtetin e Kosovës.

“Si këtu, por edhe si diplomate e Kosovës në ShBA, në takime e diskutime të ndryshme kam theksuar se ne si Bashkësi Hebraike e Kosovës nuk përfaqësojmë numra apo statistika, por përfaqësojmë një histori që duhet të rrëfehet dhe të kujtohet. Numrat nuk janë me rëndësi, por vlerat që përfaqësojmë”, është shprehur ajo, teksa nënvizon se përpjekjet e saja shkojnë në drejtim të respektimit të kujtimit për shqiptarët që kanë rrezikuar jetën për të shpëtuar e strehuar hebrenjtë, sikurse edhe pjesën tjetër se si hebrenjtë kanë lobuar për shpëtimin e Kosovës para më shumë se dy dekadash.

Votim Demiri konsideron se institucionet e shoqëria kosovare i kushtojnë rëndësi rivitalizimit të çështjes së hebrenjve në Kosovë, duke qenë se ky komunitet është pjesë e pandashme e të gjitha zhvillimeve në vend, që me përkushtim kontribuon në ndërtimin e një shoqërie demokratike…

Asnjë koment

Comments are closed.