Prizren: Dështon gjykimi ndaj shefit të zyrës së prokurimit për dhënie të kundërligjshme të tenderit

Për shkak të mungesës së prokurores, Ervehe Gashi, ka dështuar të mbahet shqyrtimi kryesor të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren ndaj shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lidhur me mungesën e prokurores Gashi, gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se ajo më 4 tetor 2019, përmes një parashtrese e ka informuar gjykatën se është në një vizitë studimore në Gjykatën Evropiane në Strasburg.

Sipas gjykatëses Skenderi, prokurorja gjithashtu ka njoftuar se nga data 14 e deri më 26 tetor 2019, do të jetë në pushim vjetor, andaj ajo, ka kërkuar që shqyrtimi i radhës të caktohet pas 14 nëntorit, me arsyetimin se të gjitha terminët deri në atë datë i ka të rezervuara.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajsere Skenderi, ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e shqyrtimit të kryesor, andaj ka marr vendim që seanca e radhës të caktohet për 29 nëntor 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Isa Osmankaj akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se në periudhën kohore maj 2017, e deri në maj 2018, në cilësinë e shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vepron në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik, lidhur me tenderin “Shenjëzimi horizontal, vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit”, e lidhur me ankesën e operatorit ekonomik NPTSH “Limit L&B”, me seli në Prizren, si tenderues i suksesshëm, refuzon ankesën duke pretenduar se “Deklarata nën betim” e parashtruesit “Boja SHPK”, me seli në Sambor dhe marrëveshja me të njëjtin partner është e falsifikuar, kërkon nga OSHP që të bëjë diskualifikimin e këtij operatori, për shkak të dokumenteve të falsifikuara të ndërmerren masa për falsifikim, sipas nenit 92 të LPP-së, me ç’rast OSHP, me vendim me nr.259 të 4 majit 2017, refuzon ankesën me arsyetim se nuk kanë gjetur prova për falsifikim.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari më 19 qershor 2017, bënë njoftimin për dhënien e kontratës për operatorin ekonomik “Sinjalizimi” edhe pse ishte shpallur i papërgjegjshëm nga OSHP-ja, me këtë vendim nuk njofton operatorët e tjerë me qëllim që t’i shmang ankesat e operatorëve jo fitues, nuk njofton për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ofertës dhe dorëzimin e garancisë së re, pa skaduar afati i ankesave.

Isa Osmankaj

Në aktakuzë thuhet se ai e nënshkruan kontratën me operatorin “Sinjalizimi”, më 3 korrik 2017, duke vepruar në kundërshtim me paragrafin 4.1 dhe 4.3 të nenit 20 të ligjit 4/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-237, 05/L-068 dhe 05/L-042 për të cilat shkelje gjobitet nga OSHP-ja, edhe për kundër faktit se ky operator është shpallur i papërgjegjshëm më 10 gusht 2017, përsëri e shpall fitues operatorin “Sinjalizimi”, me ankesën e të dëmtuarit me 21 shtator 2017, ky njoftim është anuluar dhe përsëri pas rivlerësimit për kontratë, i pandehuri rekomandon operatorin e njëjtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se pas ankesës së operatorit ekonomik “LIMITI&BOJA&DRINI”, OSHP-ja më 19 tetor 2017, kërkon që të anulohet i gjithë aktiviteti i prokurimit, me ç’rast më 5 dhjetor 2017, i pandehuri e anulon njoftimin për dhënien e kontratës dhe njofton OPSH-në, ndërsa duke mos respektuar dispozitat ligjore të LPP-së lejon që Komuna e Prizrenit, në maj të vitit 2018, të fillojë zbatimi i kontratës së anuluar nga OSHP-ja.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka shkelur të drejtat e operatorit ekonomik “LIMIT L&B” dhe i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe i ka mundësuar kompanisë “Sinjalizimi&Zmas” zbatimin e një kontrate joekzistente, në vlerë 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163.257.72 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi