19-04-2024

Ec Ma Ndryshe: Komunat e rajonit të Prizrenit të rrisin buxhetin për mbrojtjen e mjedisit

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2019 ka theksuar se problemet serioze mjedisore vazhdojnë të ndikojnë në jetesën dhe shëndetin e njerëzve.

Sfidat e mbrojtjes së mjedisit sipas këtij raporti kërkojnë më tepër vullnet politik, pasi që ka ngecje në implementimin e politikave publike për adresimin e çështjeve mjedisore.

Në këtë linjë, EC Ma Ndryshe ka kërkuar informata zyrtare nga Komunat: Prizren, Suharekë, Malishevë, Rahovec, Dragash dhe Mamushë, mbi vlerën e buxhetit të planifikuar për mbrojtjen e mjedisit për vitin 2019 dhe për vitin 2020, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se vlera e buxhetit për mbrojtjen e mjedisit për vitin 2019 është 2,5 milionë euro. Kjo Komunë ka theksuar se kjo vlerë është e njëjtë edhe për vitin 2020. Komuna e Suharekës ka njoftuar se në buxhetin për vitin 2019 për mbrojtje të mjedisit ka planifikuar 187,000 euro ndërsa për vitin 2020 ka planifikuar 228,000 euro.

Komuna e Malishevës dhe ajo e Rahovecit kanë ofruar përgjigje në kërkesat për qasje në dokumente publike, mirëpo në këto përgjigje nuk kanë precizuar se sa është vlera e buxhetit të planifikuar për mbrojtjen e mjedisit në vitin 2019 dhe në vitin 2020. Komuna e Dragashit nuk ka ofruar fare përgjigje rreth kësaj teme.

Ndërsa Komuna e Mamushës në planifikimin e saj buxhetor për vitin 2020 ka paraparë ulje të ndjeshme të mjeteve financiare për mbrojtjen e mjedisit në krahasim me vitin 2019. Sipas informatave zyrtare të pranuara nga Komuna e Mamushës del se në vitin 2019 shuma e buxhetit të planifikuar për mbrojtjen e mjedisit në këtë komunë ka qenë 165,000 euro, ndërsa për vitin 2020, planifikohet një shumë prej 70,000 eurove.

Duke marrë për bazë nevojën për parandalimin e ndotjes së mjedisit si dhe aplikimin e masave për përmirësimin e tij, EC Ma Ndryshe kërkon nga Komunat e rajonit të Prizrenit që të tregojnë përkushtim të shtuar në mbrojtjen e mjedisit për të përmirësuar standardet e jetesës për qytetarët e kësaj komune.

EC Ma Ndryshe i bën thirrje Komunave të rajonit të Prizrenit që të marrin përgjegjësi në këtë drejtim dhe të rrisin buxhetin e planifikuar për mbrojtjen e mjedisit.

Njëherësh iu bën thirrje që ta rrisin transparencën në raport me implementimin e politikave publike për adresimin e çështjeve mjedisore.

Asnjë koment

Comments are closed.