Prizren: Dështon seanca ndaj mjekëve të akuzuar për marrje ryshfeti

As për të tretën herë nuk është arritur të përmbyllet marrëveshja për pranimin e fajësisë në mes Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të akuzuarve për marrje të ryshfetit Gazmend Sylejmani dhe Urim Skeraj, megjithëse gjykata u kishte dhënë dy herë afat për një gjë të tillë.

Të enjten ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore ku do te finalizohej marrëveshja, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, sepse për shkaqe shëndetësore ka munguar prokurori i rastit, Genc Nixha, duke mos prezantuar në seancë.

Në këto rrethana, mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar që shqyrtimi të shtyhet derisa të kthehet prokurori Nixha nga pushimi mjekësor, në mënyrë që të përmbyllin marrëveshjen për pranimin e fajësisë sa i përket dënimit me gjobë, pasi që për detajet tjera veç ekziston dakordimi.

Këtë propozim të mbrojtjes nuk e ka kundërshtuar prokurori zëvendësues Metush Biraj, andaj kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesat e mbrojtësve dhe u ka dhënë palëve në procedurë afat deri më 5 shtator 2018, në ora 09:30, për të arritur marrëveshjen ose përndryshe do të vazhdohet me shqyrtim të rregullt gjyqësor.

Më 22 maj 2018, palët në procedurë kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, por në atë marrëveshje kanë paraparë vetëm dënimin me burgim prej pesë muajsh por jo edhe dënimin me gjobë ashtu siç e parasheh sanksioni penal për veprën penale me të cilën ngarkohen të akuzuarit.

Në këto rrethana, gjyqtarja Skenderi u kishte dhënë afat prej 3 ditësh që palëve që të përmbyllnin marrëveshjen duke e paraparë edhe dënimin me gjobë, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, duke e shtyrë gjyqtarën që ta shtyjë shqyrtimin për 28 qershor 2018.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën të akuzuarit Gazmend Sylejmani dhe Urim Skeraj, në cilësinë e mjekëve gjinekologë, në Spitalin e Prizrenit, akuzohen se më 5 janar 2017, duke hyrë në operacion për të operuar një paciente, kanë marrë ryshfet nga bashkëshorti i saj për të kryer detyrën e tyre.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gazmend Sylejmani i ka marrë nga bashkëshorti i pacientes shumën e parave prej 20 euro, ndërsa i akuzuari Urim Skeraj ka marrë shumën e parave prej 10 euro, të cilat para u ishin gjetur atyre gjatë bastisjes nga policia./betimiperdrejtesi/