Prizren: Dyshohet se vrau prindërit, Suedia mund të refuzojë ekstradimin e të riut
A.H, i dyshuar për vrasjen e prindërve arrestohet në Suedi. Njohësit e drejtësisë thonë se Suedia mund të refuzojë ekstradimin e tij në Kosovë.
Një krim i rëndë, tronditi Prizrenin në janar të këtij viti.
Një qift bashkëshortor u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në lagjen Ortakoll të këtij qyteti.
E pas hetimeve të para, u ngritën dyshime se vrasjen e ka kryer i biri i tyre, 35 vjecari me inicialet A.H.
Por, ai ishte arratisur nga Kosova.
E një ditë më parë u bë e ditur se i dyshuari është arrestuar në Suedi.
Tani institucionet e drejtësisë janë duke përgatitur kërkesë për ekstradimin e tij në Kosovë.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.
T7 ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Drejtësisë, në lidhje me procedurat për ekstradimin e 35 vjecarit nga Suedia në Kosovë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërsa , njohësit e fushës së drejtësisë thonë se ky rast është më i komplikuar pasi personi në fjalë ka nënshtetësi suedeze.
Gëzim Shala, Instituti i Kosovës për Drejtësi, theksoi se ka raste kur shteti i Suedisë kishte refuzuar të ekstradojë persona në Kosovë.
E në raste të tilla, sipas Shalës, Kosova duhet ta transferojë gjithë rastin për hetim në autoritet Suedeze.
Por, dënimet në Kosovë dallojnë nga ato të Suedisë.
Përndryshe A.Hadri, 35 vjeç, është i dyshuar për vrasjen e dy prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadri. /GazetaExpress