Prizren: Gjykimi ndaj Asdren Mekajt, i dëmtuari thotë se dëmi i shkaktuar nga i akuzuari kalon shifrën prej 300 mijë euro
I dëmtuari Pal Gruda, ka deklaruar se tani i akuzuari për veprën penale të detyrimit, Asdren Mekaj i ka shkaktuar atij dëm në shumë prej mbi 300 mijë eurosh.
Asdren Mekaj, ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale të shantazhit, por Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht të këtij viti, ka marr aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.
I dëmtuari Gruda, e ka vazhduar dëshminë e tij, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka thënë se përmes detyrimeve nga i akuzuari Mekaj dhe daja i tij, Kastriot Kukaj, gjatë periudhës dy vjeçare, atij i është shkaktuar dëm në shuma të pallogaritshme.
“Asdreni nuk ka marrë prej meje vetëm vetura, ka marrë para edhe për obligimet e veta, për shërimin e vëllaut, shërimin e babait, e së bashku me Totin përmes kërcënimeve kanë marrë shumën prej 300.000 euro, mund të jetë edhe më shumë”, ka thënë Gruda.
Duke u përgjigjur në pyetjen avokatit mbrojtës, Besnik Berisha, se kur kishin filluar detyrimet e klientit të tij, i dëmtuari është përgjigjur duke thënë se qysh në fillim të njohjes me të akuzuarin.
“Saktësisht detyrimet e Asdrenit kanë filluar pas mashtrimit të tij me restorantin “Route 66”, sepse unë e kam ditur që ai është aksionar i vetëm, por më pas jam lënë në baltë nga ai, dhe persona të tjerë kanë filluar të më kërcënojnë kinse unë ju kam borxh për pjesën tjetër”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se ishte ndier i pafuqishëm ta denoncojë Mekajn, pasi që sipas tij, nga rrëfimet e tani të akuzuarit për ndikimin e madh të tij dhe familjes së tij, në Polici, Prokurori dhe Gjykata, ka thënë se ndihej i rrezikuar personalisht si dhe familjarisht.
“Pas denoncimit në polici, tek unë dhe familja ime kanë ardhur komandant lufte, gjyqtarë, kryetarë gjykatash, priftërinj, ipeshkëv e tjerë, që të kërkojnë tërheqjen e denoncimit”, ka thënë ai.
Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit, Besnik Berisha, se a i kishte denoncuar këta persona që kanë kërkuar tërheqjen e denoncimit, i dëmtuari është përgjigjur duke thënë se njërin nga ta po, dhe se ai është Sali Mekaj, ndërsa për të tjerët sipas tij, nuk kishte guxim.
Avokati Berisha më tej e ka ballafaquar të dëmtuarin me deklaratat e tij, dhënë në prokurori duke i thënë se: “ju keni deklaruar se nuk keni guxuar t’i denonconi Kqirajt sepse ju kanë ardhur njerëz me automjete me xhama të zeza, tani deklaroni se nuk keni guxuar ta denonconi Asdrenin për të njëjtën arsye, cila është e vërteta të kanë ardhur grupi i Kqirajve, apo i Asdrenit?”.
“Asdren Mekaj, Kastriot Kqiraj dhe Besfort Omaj janë i njëjti grup pas futjes time në grackë këta kanë vepruar në të gjitha format si të përcjelljes fizike si dhe me vetura me xhama të errët”, është përgjigjur i dëmtuari.
“Pasi që po pretendoni se veturat keni qenë i detyruar t’i bleni, a të kanë detyruar me shku me marrë fajde, apo ti vetë je shku”, ka qenë pyetja e radhës e avokatit Berisha.
I dëmtuari është përgjigjur duke thënë se ka qenë i kërcënuar me jetë që të gjentë të holla për të akuzuarin.
“Unë kam qenë i kërcënum me jetë që të gjejë të holla për Asdrenin. Unë kam marrë borxh tek njerëzit, të cilët pastaj ata më kanë kthyer në fajde”, ka thënë i dëmtuari Gruda.
Avokati Berisha ka insistuar në pyetjen se prej shumës së dëmit të shkaktuar prej 300.000 euro, a përfshihen këtu edhe fajdetë që sipas të dëmtuarit i ka paguar te Kqirajt dhe te personat e tjerë, për të cilën ka parashtruar kërkesë pasurore juridike në këtë gjykatë.
Më pas ka reaguar prokurorja e rastit Merita Bina-Rugova, duke dhënë vërejtje se i dëmtuari nuk është në cilësi të ekspertit financiar.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka ndërprerë seancën e së mërkurës, për shkak të përfundimit të orarit, ndërsa seancat e radhës, i ka caktuar më 24 dhe 25 tetor 2019, në ora 10:00.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj për shkak të kryerjes së veprës penale “detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.
Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i jep të holla të gatshme dhe t’i blej vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale. /BetimipërDrejtësi