23-04-2024

Prizren: Gjykimi për vrasjen në lagjen “Tusuz”, dëshmitari thotë se e kishte parë të akuzuarin kur theri me thikë vëllanë e tij

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, në gjykimin ndaj të akuzuarit Haxhi Selmanaj, është dëgjuar dëshmitari Zeqir Kryeziu, i cili ka thënë se ka parë momentin kur i akuzuari e kishte therë me thikë vëllanë e tij.

“Pasi që e vërejta që ka shpërthyer vëllaun tim, unë u largova nga frika se mos po më godet edhe mu”, ka thënë Kryeziu.

Sipas procesverbalit të seancës, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dëshmitari Kryeziu deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në gjykatë më 12 tetor 2020, pasi u pyet nga prokurori Genc Nixha.

Tutje, thuhet se në përgjigjet e pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Selmanaj, avokatit Esat Gutaj, dëshmitari ka thënë se me të akuzuarin ishte njohur përmes shokut të tij Sali Kryeziu dhe se me të njëjtin ka pasur raporte normale.

Në procesverbal, thuhet se dëshmitari ka shtuar se ditën kritike kur kishte ndodhur ngjarja më 26 janar 2020, së bashku me vëllain e tij Elmirin të akuzuarin e Selmanaj e kanë takuar afër shtëpisë së tyre.

Po ashtu, ai tha se i akuzuari nga ai kishte kërkuar një cigare dhe se kjo ishte arsyeja e fillimit të zënkës mes tyre.

“Më ka shajtë për arsye se unë nuk ia dhashë cigaren, ai më shajti me motër e familje”, tha dëshmitari Kryeziu.

Në procesverbal thuhet se dëshmitari theksoi se Selmanaj e ka goditur në fytyrë dhe ka tentuar që ta sulmojë në shpatullën e majtë dhe se këtë situatë e kishte parë nga marketi vëllai i tij tani i ndjerë Elmiri, i cili kishte tentuar t’i ndajë.

pas, thuhet se dëshmitari ka pohuar faktin se ditën kritike ka pasur një thikë në dorë, të cilën sipas tij e kishte për vetëmbrojtje.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 29 dhjetor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 15 korrik 2020, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Elmir Kryeziu, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Zeqir Kryeziu, vëllai i të ndjerit.

Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin, ku kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit dhe në një moment i akuzuari e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur tani të ndjerin në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës E.K.

Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje”.

Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide nga organi i autorizuar shtetëror, mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë “ngjyrë ushtarake”, i cili është sekuestruar nga ana e policisë.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.