02-11-2024

Prizren: I akuzuari mohon akuzën për vjedhjen e një  televizori  

I akuzuari për vjedhje të rëndë Hekuran Ademaj, në seancën e së enjtes të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka kundërshtuar aktakuzën e ngritur ndaj tij duke mohuar të ketë kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

I akuzuari ka thënë se në kohën kur pretendohet se e ka kryer veprën penale të vjedhjes, ka qenë duke u përgatitur për t’u martuar, prandaj dhe nuk ka pasur se si ta kryejë veprën penale me të cilën ngarkohet.

Me këtë arsyetim, Ademaj ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hedhet poshtë.

Në anën tjetër, prokurorja Elfete Purova ka kërkuar nga gjyqtari i çështjes, Fatmir Krasniqi, që të mos e pranojë kërkesën e të akuzuarit për hedhjen e aktakuzës.

Sipas prokurores Purova akti akuzues është bazuar në prova të mjaftueshme dhe të arsyetuara, që mbështesin pretendimin e prokurorisë.

Gjyqtari Krasniqi pas dëgjimit të palëve në procedurë, ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit për hedhjen e aktakuzës, dhe pasi që i akuzuari ka hequr dorë nga ankesa ndaj aktvendimit, fillimi i gjykimit është caktuar për 12 shtator 2018, në ora 13:30.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prizren kundër Hekuran Ademajt, të cilin e akuzon se më 24 qershor 2015, ka hyrë në shtëpi të të dëmtuarit Xhemajl Suka dhe ka vjedhur një TV në vlerë prej 500 euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ademaj, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë së personit tjetër, ka hyrë me forcë në hapësirat e mbyllura të shtëpisë së të dëmtuarit Suka, nga edhe e ka marrë televizorin e tij./betimiperdrejtesi/

 

Asnjë koment

Comments are closed.