22-10-2020

Prizren: Kërkohet përjashtimi i kryetarit të trupit gjykues, dështon seanca për tentim vrasje

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të mbahet shqyrtimi kryesor ndaj Rinor Xhaferit, i akuzuar për tentim vrasje, Bekim Xhaferit, i akuzuar për veprën penale pjesëmarrje në rrahje dhe Agron Sopa, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor.

Në fillim të shqyrtimit kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, deklaroi se i akuzuari Agron Sopa ka bërë paraqitje kundër tij në Komisionin Disiplinor, për këtë është njoftuar edhe U.D i Kryetarit të Gjykatës Artan Sejrani, i cili ka qenë edhe anëtarë i trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti ka kërkuar mendimin e Gjykatës Supreme për vendosje, mirëpo para shqyrtimit kryesor, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Osmani dhe ushtruesi i detyrës se kryetarit të Gjykatës, Artan Sejrani nuk ka marrë kurrfarë përgjigje nga Gjykata Supreme.

Lexo edhe:

Prizreni në vendet e fundit prej komunave të Kosovës edhe për Përgjegjshmërinë (Dokument)

Për këtë arsye trupi gjykues mori aktvendim me të cilin vendosi që shqyrtimi i sotëm të mos mbahet dhe do të pritet vendimi i Gjykatës Supreme.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” Agron Sopa tregoi arsyet se pse e ka bërë kërkesën për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.

Ai deklaroi se dyshon në objektivitetin e gjyqtarit Xheladin Osmani, sepse sipas tij gjatë gjykimit, trupi gjykues, kryetari i trupit gjykues, nuk ka vepruar sipas dispozitave ligjore që të vlerësojë dhe vërtetojë plotësisht provat e propozuara, ashtu që provën materiale CD nuk e ka dërguar në ekspertizë për pastrimin e imazheve filmike.

Po ashtu, sipas tij nuk ka administruar provën e propozuar në aktakuzë dhe  procesverbalin e inspektortit Komunal.

Tutje Sopa deklaron se gjyqtari Xheladin Osmani nuk ka aprovuar propozimin që të ftohet dhe dëgjohet radiologu për të vërtetuar se lëndimi i pretenduar i Bekim Xhaferit a ekziston? Nëse po kur ka ndodhur? Si dhe nuk ka aprovuar propozimin e të akuzuarit që të ftohet ne cilësi të dëshmitarit Egzon Velija nga Peja, ka deklaruar Sopaj.

Në tetor të vitit 2018, Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykimin, me të cilin Rinor Xhaferin e kishte shpallur fajtor për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe e kishte dënuar me 15 muaj burgim.

Bekim Xhaferin e kishte dënuar për veprën penale “ pjesëmarrje në rrahje” me tre muaj burgim.

Ndërsa Agron Spën, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” e kishte dënuar me 6 muaj burgim, kurse për veprën penale “lëndi i lehtë trupor” me tre muaj burgim, duke i shqiptuar dënimin unik prej 8 muaj burgim efektiv.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 16 gusht 2018, Rinor Xhaferi akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, po vepra nuk është realizuar, në atë mënyrë që në rrugën e shtëpisë së tij, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me rrugën dhe largimit të cungave prej rrugës nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, së bashku me babain e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit Agron Sopa, ku fillimisht përleshen me grushta, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin Agron Sopaj.

Me këto veprime Rinor Xhaferi ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Ndërsa, Bekim Xhaferi akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, së bashku me të birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferin me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Agron Sopaj.

Me këto veprime, Bekim Xhaferi akuzohet se ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor përsonit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin Bekim Xhaferin, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nën gjurit të majtë dhe lëndime të tjera.

Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes të dëmtuarin Rinor Xhaferin e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprat penale lëndim i rëndë trupor si dhe lëndim i lehtë trupor./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.