23-04-2024

Prizren: Komuna vendos pengesa nëpër rrugë, vozitësit kundër

Nëpër rrugët e Prizrenit tashmë ka një numër pengesash në rrugë në formë të ‘policëve të shtrirë’, disa nga betoni e disa të tjera nga goma. Drejtoria e Shërbimeve Publike (DSHP) ka vendosur rreth 250 metra gjatësi të pengesave në qytet dhe fshatra.

 

Derisa zyrtarët komunal të Prizrenit, thonë se vendosja e tyre, bëhet me qëllim të rritjes së sigurisë për këmbësorët dhe parandalimin e aksidenteve, vozitësit ankohen se ato janë të shumta dhe që pengojnë qarkullimin normal, duke i kthyer kësisoj rrugët e dedikuara për lëvizje normale në pengesa për automjete, transmeton “gazaetaprizrenit.net”.

 

Vozitësi Blerim Berisha nga lagja “Bazhdarhane” që për t’u lidhur me transitin shpesh kalon nëpër rrugën “Flamuri” thotë se për gati një kilometër i duhet t’i kalojë së paku 6 pengesa, ndërsa konsideron se pos atyre afër shkollës “Lekë Dukagjini” të tjerat janë të panevojshme.

 

“Mendoj se janë tepër, pasi ata që kalojnë nëpër këtë rrugë e dinë se ajo është pothuajse e deformuar dhe nuk mund të vozitësh me aq shpejtësi. Përpos vonesave, kemi edhe dëmtim të veturave, por kjo askujt si intereson”, thotë ai.

 

Drejtori i  DSHP-së, Levent Kasëmi ka thënë se duke pasur parasysh rrezikun e shtuar ndaj nxënësve, pengesat kryesisht janë vendosur në afërsi të shkollave, pastaj tek unaza e qytetit dhe në rrugët, të cilat janë konstatuar se paraqesin rrezik për këmbësorët.

 

“Siguria dhe mirëqenia e këmbësorëve (qytetarëve)  tanë është prioritet, prandaj do të vazhdojmë me shtimin e masave me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe gjithsesi  për të përmirësuar dhe ngritur nivelin e sigurisë në rrugë”, ka thënë ai për “gazetaeprizrenit.net”.

Agim Krasniqi shprehet se rrugët janë mbushur pengesa, ndërsa këtë e lidh me neglizhencën e policisë, e cila nuk shihet brenda qytetit për të disiplinuar vozitësit, të cilët sipas tij pastaj “dënohen” me këto pengesa.

 

Ai tha se një pasqyrë e tillë më së miri shihet  në rrugën që lidh rrugën nga semaforët tek tregu i gjelbër për tek xhamia e Ortakollit, në drejtim të rrugës “Jusuf Gërvalla” drejt transiti  përvall  pishinës “TeA”, ku siç thotë dukesh sikur në detin me valë.

 

“Disa vozisin shpejt, por a ka policë, a duhet ata të dalin edhe brenda qytetit. Vetë prezenca e tyre e disiplinon dhe rrit vetëdijen. Nuk është e thënë që gjithnjë policët vetëm t’i gjobisin qytetarët. Pra, policët nuk javë veç për zyre apo kur dalin në qytet të rrinë nëpër kafene”, thotë ai.

 

Në Prizren, përshirë edhe akse kryesore madje ka pengesa jashtë çdo standardi të vëna nga qytetarë, pa kurrfarë kriteri apo leje nga organet.

Lidhur me këtë, drejtori Kasëmi, tha nga datën 21 maj, DSHP ka  filluar ekzekutimin e punimeve për heqjen e këtyre pengesave në rrugën ‘’Suzi Qelebi’’  dhe rrugë ‘’Hoxhë Tahsini’’ dhe se po vazhdon aksioni për largimin e të gjitha pengesave të vendosur pa plan e pa kritere./gazetaeprizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.