Prizren: Kryeprokurori Shala konfirmon se kishte iniciuar rast ndaj Birajt për tërheqje nga aktakuza
Bazuar në praktikën e ndërtuar nga prokurorët, në secilin rast kur prokurorët vlerësojnë të tërhiqen nga aktakuza konsultohen me kryeprokurorin e prokurorisë.
Burimet të “Betimi për Drejtësi” po ashtu kanë treguar se për tërheqjen nga aktakuza nuk është konsultuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala.
I pyetur Biraj nëse është konsultuar, fillimisht e mohon, duke u arsyetuar në pavarësi në vendimmarrje e më pas thotë se është konsultuar por nuk i kujtohet nëse Shala është pajtuar me të.
“Gazetarja: Kur jeni tërhek prej aktakuzës në rastin e 130 kilogramvëve marihuanë, a jeni konsultu me kryeprokurorin?
Prokurori Biraj: Jo sepse unë jam i pavarur në vendosje, unë jam prokuror i pavarur.
Gazetarja: Po, por praktika dhe me ligjin e ri është që duhet të konsultoheni me kryeprokurorin. Në këtë rast ju është edhe praktika e kaluar dhe me ligjin aktual që ju duhet të konsultoheni më kryeprokurorin. Ju në këtë rast nuk jeni konsultu?
Prokurori Biraj: Konsulta është konsult, a vendosja unë unë.
Gazetarja: A jeni konsultuar me të?
Prokurori Biraj: Jemi konsultuar, ai ka pas mendimin e tij, unë kam pas mendimin tim.
Gazetarja: Ai ka qenë kundër?
Prokurori Biraj: Urdhëro?
Gazetarja: Ai ka qenë kundër i bie kjo?
Prokurori Biraj: Nuk më kujtohet, nuk më kujtohet
Gazetarja: Ka qenë kundër apo ka qenë pro?
Prokurori Biraj: Nuk më kujtohet”.
Kryeprokurori Shala ka konfirmuar zyrtarisht për “Betimi për Drejtësi”, se ish-Prokurori Biraj nuk është konsultuar me të për t’u tërhequr nga ndjekja penale e tre të akuzuarve për shitblerjen e 130 kilogramëve marihuanë.
Sipas burimeve brenda prokurorisë, bazuar në shkresën e kryeprokurorit Shala është hapur hetim, por në mungesë provash rasti ishte mbyllur.
Derisa, rasti është rihapur pas arrestimit të Pulajt nga Policia e Kosovës më 4 shtator për shitblerje të drogës.
E pikërisht rreth 2 muaj pas arrestimit të tij, Prokurorisë Themelore në Gjilan i ka rënë në duar video-incizimi i bisedës dhe mesazhet tekstuale në mes Pulajt me prokurorin.
Për këtë, rasti është dorëzuar për hetim më 31 tetor.
Të dyshuar në rast janë ish-Prokurori Biraj, ndërmjetësuesi Shkodran Pulaj dhe njëri nga ish të akuzuarit për rastin e 130 kilogram marihuanë, Naim Osmanaj.
Megjithatë, përkundër se kanë kaluar afër një muaj që kur prokurori, Isuf Sadiku, ka pranuar këtë provë, ende nuk ka vepruar për të marrë në pyetje ish-prokurorin Biraj.
I kontaktuar Sadiku përmes telefonit, nuk ka dashur të prononcohet duke thënë se do të përgjigjet në pyetjet e adresuara përmes postës elektronike.
“E pranova e-mailin prej juve dhe ndërkohë nesër masnesër kur të na del kohë ju përgjigjemi na”, ka thënë Sadiku.
Për më shumë ndiqeni hulumtimin “Si prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kg marihuanë”, në KTV, TVArta dhe “Betimi për Drejtësi”./BetimipërDrejtësi