22-11-2024

Prizren: Kush janë aplikuesit për heqjen e shpenzimeve të varrimit?

Derisa banorët e Prizrenit kanë nisur të aplikojnë në komunë, për kompensimin e shërbimeve të varrimit për familjarët e tyre, këtë të drejtë shumë më pak janë duke e shfrytëzuar ata që jetojnë në fshatra, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.

 

Drejtori për Mirëqenie sociale në Prizren, Fejzë Kabashi, ka thënë se nga janari e deri tash 352 persona kanë aplikuar për heqjen e shpenzimeve të varrimit për familjarët e tyre të vdekur. Nga ky numër 36 raste janë vetëm këtë muaj.

 

“Nga përllogaritjet  e bëra,  për këtë qëllim kemi një fond vjetor prej 200 mijë eurosh, ndërsa deri tash kemi pak aplikime nga zonat rurale”, tha ai për portalin “Gazeta e Prizrenit”, pa saktësuar numrin e tërësishëm të aplikuesve të deritashëm nga fshatrat.

 

Mbështetur në pozicionin buxhetor nga komuna del se ky fondi i paraparë vjetor është i mjaftueshëm për kompensimin e varrimit për 1 mijë persona, në vlerë prej 200 euro.

 

Por, përfaqësues fetar në fshatra thanë se nuk kanë shumë dijeni për fillimin e kompensimit nga ana e komunës. Njëri nga imamët në Has, Mustafë Kabashaj, ka thënë se ndonëse ai mbulon një pjesë të vogël të fshatrave të komunës së Prizrenit, nuk ka qenë në dijeni për fillimin e zbatimit të projektit, për t’i rekomanduar familjarët e të vdekurve, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

 

Kompensimi bëhet pas aplikimit, duke afruar si dëshmi certifikatën e vdekjes së familjarit. Pas kësaj paratë transferon në xhirollogarinë bankare të aplikuesit./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.