Prizren: Ndalohet nga Policia inspektori i Komunës, Bashkim Krasniqi
Inspektori i ndërtimit në Prizren, Bashkim Krasniqi, është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ndalimi i tij është bërë lidhur me hulumtimin e “Betimit për Drejtësi” për motelin e ndërtuar në Landovicë të Prizrenit, të pajisur me leje ndërtimore “fermë për kalërim”.
Burime kanë bërë me dije se Krasniqi dyshohet për mosndërmarrje të veprimeve, duke lejuar tejkalimin e lejes ndërtimore, e më pas për shkak të dështimit në ekzekutimin e konkluzionit për rrënim.
“Betimi për Drejtësi” në emisionin e transmetuar më 1 qershor 2024 me titull “Pazarllëqet me shndërrimin e fermave të kuajve në motele” ka treguar se si objekti i pajisur me leje ndërtimore “fermë për kalërim” kishte rezultuar me një motel.
Krasniqi gjatë inspektimeve të bëra në vitin 2023, ia kishte ndaluar punën disa herë investitorit duke i vendosur shiritat.
Por, megjithëse i njëjti i kishte larguar ata dhe vazhduar punimet, nuk kishte ushtruar kallëzim penal ndaj tij për dëmtim të vulave zyrtare.
Megjithëse në përgjigjen e dhënë për “Betimi për Drejtësi” kishte dalë kundër praktikës ligjore duke thënë se nuk bëjnë kallëzim penal, Krasniqi atë e kishte bërë pas transmetimit të hulumtimit.
Ky objekt ishte pajisur me leje ndërtimore më 25 maj 2023. Një vit pas, ajo çfarë shihej nga gjendja faktike ishte se nuk ka të bëjë me fermë për kalërim.
Objekti ishte pothuajse në fazën përfundimtare të punimeve dhe ngjante me një motel.
Për rrjedhojë, i njëjti kishte shfrytëzuar çdo mundësi ligjore për ta legalizuar atë, duke bërë ankesë edhe në Ministri të Mjedisit. Por që të gjitha i ishin refuzuar.
Lexo edhe:
Vetëvendosje në Prizren akuzon qeverinë komunale për kurdisje të tenderëve
Për këtë, inspektorati më 12 gusht 2024, kishte nxjerrë urdhër-ekzekutim të detyrueshëm për rrënimin e të gjitha tejkalimeve të lejes ndërtimore dhe ndërtimeve pa leje.
Por, inspektori Krasniqi nuk kishte respektuar urdhër-ekzekutimin e nxjerrë nga vetë ai. Në procesin e rrënimit të zhvilluar më 6 dhe 9 shtator, Inspektorati i Ndërtimit në Prizren kishte dalë i pafuqishëm, duke mos rrënuar as gjysmën e tejkalimeve ndërtimore dhe objekteve pa leje.
I njëjti edhe në procesverbalin e rrënimit nuk e kishte përshkruar gjendjen faktike në terren. /BetimipërDrejtësi