26-04-2024

Prizren: PDK kritikon për punësime të paligjshme kryetarin, Haskuka

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren, që tashmë është në opozitë,  derisa ka kritikuar për një varg shkeljesh kryetarin Mytaher Haskuka, përfshirë edhe siç është thënë punësimet e paligjshme të militantëve të subjektit të tij, ka paralajmëruar formimin e kabinetit “për qeverisje të mirë”

PDK shprehet se në përputhje me vendimin e organeve drejtuese të saj, ka filluar përgatitjet për themelimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë për Komunën e Prizrenit, që do t’i ketë komisionet përkatëse me njohës të fushave në kuadër të qeverisjes lokale, me ç’rast   do të përcillet  dhe analizohet  me vëmendje keqqeverisja e izoluar, jo transparente,  dhe jo vendimmarrëse e kryetarit  turist Mytaher Haskuka dhe koalicionit qeverisës.

Në një konferencë shtypi, sekretari Samir Hoxha, ka thënë se tashmë kaluan 100 ditët e qeverisjes lokale,  me ankesa fiktive dhe postime  në FB. “E gjitha kjo për të arsyetuar mos punën e tij dhe kabinetit që drejton, si dhe duke bërë përpjekje që ta kamufloj  paaftësinë e tij, për të ju ofruar zgjidhje problemeve të shumta që kanë qytetarët e komunës sonë”, tha ai.

Mungesa e gatishmërisë për  të realizuar punët dhe përgjegjësitë  para qytetarëve është një dëshmi e mungesës së vizionit, programit  dhe kapaciteteve për të udhëhequr dhe realizuar projekte të cilat përmirësojnë jetën në qytetin tonë.

PDK shprehet se Haskuka ka shkelur të gjitha normat e transparencës, dhe ka krijuar shkëputje nga komunikimi me qytetarët. “Kryetari i komunës dhe kjo qeverisje, ka dështuar të ketë një program qeverisës edhe pas më shumë se njëqind ditë qeverisje”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit ka mbingarkuar hapësirat e komunës më militantë të VV-së, me kontrata mbi vepër duke mos respektuar asnjë procedurë konkursi.

“Këta militantë të VV-së,  përveç se janë të punësuar jashtëligjshëm po ushtrojnë terror psikologjik mbi shërbyesit civil, të cilët me vite punojnë në administratën e komunës së Prizrenit”.

PDK në Prizren konsideron se këto veprime janë shkelje e rëndë e legjislacionit në fuqi, andaj si të tilla janë të papranueshme. Ne bëjmë thirrje që sa më parë të ndalet ky mentalitet qeverisës, përndryshe pasojat e shkeljeve të shumta do të jenë të pariparueshme.

Me qëllim të evidentimit të të gjitha shkeljeve ligjore që po bëhen nga ana e kësaj qeverie, pa program e vizion, PDK në Prizren së shpejti do ta lansoj platformën elektronike, përmes së cilës do i ofrojmë mundësi prizrenasve, që t’i adresojnë të gjitha shqetësimet në raport me këtë qeverisje.

“Kryetari turist i Prizrenit, ka bërë udhëtime të njëpasnjëshme jashtë vendit, pa asnjë informatë para qytetarëve për arsyen e vizitave, dhe pa asnjë llogaridhënie e shpjegim për shpenzimet e këtyre udhëtimeve me paratë e taksapaguesve të Prizrenit.

Këto dhe shumë e shumë veprime të tjera, dhe abuzime me detyrën e tij si kryetar,  PDK do t’i shpalos në kuadër të seancës së jashtëzakonshme që do të thirret  së shpejti nga GP i PDK-së, që tashmë ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, për njëqind ditët e qeverisjes.

PDK shprehet se përmes komunikimit më të vazhdueshëm, do vazhdoj t’i prezantoj të gjitha shkeljet, që po i bënë kjo qeverisje në dëm të qytetarëve.

Asnjë koment

Comments are closed.