25-04-2024

Prizren: Përfundon intervistimi i kandidatëve për kryetar të Gjykatës Themelore

Komisioni Vlerësues në përbërje të anëtarëve Teuta Ibrahimi, Arjeta Sadiku dhe Drita Rexhaj, ka intervistuar gjyqtarët, Agron Hoxha, Atdhe Berisha dhe Shpresa Emra, gjyqtarë këta që i kanë hyrë garës për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, sipas konkursit të rishpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, kandidatë për këtë garë ka qenë edhe gjyqtari Shaban Shala,  por i njëjti pas shqyrtimit të aplikacioneve nuk është ftuar për intervistë.

Për më shumë se 20 muaj, Gjykata Themelore në Prizren është duke funksionuar pa kryetar, por vetëm me ushtrues detyre të kryetarit.

Që nga data 4 korrik 2020, kjo gjykatë udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj gjykate, gjykatësi Artan Sejrani.

Kjo ngase, ish-kryetari i kësaj gjykate, Ymer Hoxha për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, kishte përfunduar mandatin si udhëheqës i kësaj gjykate dhe ishte propozuar tek Presidentja Vjosa Osmani për lirim nga detyra e gjyqtarit, respektivisht kryetarit.

Fillimisht, KGjK më 27 janar 2021 kishte shpallur konkurs për pozitën e të parit të Gjykatës Themelore në Prizren, ku kishin aplikuar dy kandidatë.

Lexo edhe:

40 vjet nga themelimi i repartit të urologjisë në Spitalin e Prizrenit

Në këtë konkurs garuan gjykatësi Agron Hoxhaj dhe Artan Sejrani, mirëpo ky i fundit, ditën e intervistimit kishte njoftuar tërheqjen nga gara për arsye personale.

Edhe pse ishte kandidati i vetëm në garën për pozitën e udhëheqësit të kësaj gjykate, gjykatësi Agron Hoxhaj nuk mori besimin e anëtarëve të KGjK-së për t’u emëruar si kryetar i Gjykatës Themelore në Prizren.

Kjo pasi në mbledhjen e 266-të të KGjK-së të mbajtur më 27 shtator 2021, kundër kandidaturës së gjykatësit Hoxha për këtë pozitë, votuan shtatë anëtarë të këshillit, ndërsa për votuan vetëm dy.

Lidhur me këtë, kryesuesi i KGjK-së Albert Zogaj kishte njoftuar se pas dështimit të procesit të përzgjedhjes së kryetarit në Gjykatën Themelore në Prizren, konkursi në këtë gjykatë do të përsëritet.

Në rrethana të tilla, KGjK në takimin e saj të mbajtur më tetor 2021 kishte marrë vendim për rishpalljen e konkursit për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren./BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.